
Një shpërthim me lëndë plasëse ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës në lagjen “Qemal Stafa” në Shkodër, vetëm pak metra pas godinës së Bashkisë. Ngjarja është regjistruar rreth orës 21:30, në oborrin e një banese dykatëshe në pronësi të Metin Bushatit.
Sipas të dhënave paraprake, një person ende i paidentifikuar ka hedhur një sasi të vogël lënde plasëse në oborrin e banesës dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Dyshohet se lënda është hedhur nga pjesa e pasme e banesës, ndërsa errësira mund t’i ketë mundësuar autorit të largohej pa u identifikuar.
Nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar, por janë shkaktuar dëme materiale. Përveç banesës ku ndodhi ngjarja, janë dëmtuar edhe xhamat e një banese në pallatin ngjitur.
Shpërthimi ka qenë i fuqishëm dhe është dëgjuar në disa zona të qytetit, duke alarmuar banorët e lagjes.Metin Bushati dhe bashkëshortja e tij janë mësues, ndërsa familja, sipas banorëve të zonës, njihet si e qetë dhe pa konflikte të njohura.
Ndërkohë, grupi hetimor po punon për të zbardhur motivin e ngjarjes. Një prej pistave që po verifikohet lidhet me vëllain e Metin Bushatit, Gëzim Bushatin, i cili jeton në Gjermani. Sipas burimeve, ai ka pasur më herët probleme me drejtësinë në këtë shtet, por ende nuk ka të dhëna që të konfirmojnë një lidhje mes kësaj rrethane dhe shpërthimit.
Në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, ndërsa janë sekuestruar prova që mund të ndihmojnë në identifikimin e autorit. Nën drejtimin e Prokurorisë, hetimet vijojnë për të përcaktuar autorin, motivin dhe rrethanat e plota të sulmit.
https://youtu.be/5otylY6F0AA


