Situata hidrologjike në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet në përmirësim, pas monitorimit të vazhdueshëm gjatë natës dhe orëve të para të mëngjesit. Autoritetet raportojnë ulje të niveleve të ujit në zonat e prekura nga përmbytjet.
Në zonën e Obotit është konstatuar rënie e nivelit të ujit. Aksi rrugor që lidh fshatin Obot me rrugën kryesore vijon të ketë prezencë uji rreth 90 centimetra, nga 100 centimetra që ishte një ditë më parë, duke shënuar ulje rreth 10 centimetra. Ky aks mbetet nën monitorim të vazhdueshëm.
Mjetet e Bashkisë Shkodër dhe strukturat mbështetëse ndodhen edhe sot në terren, në gatishmëri të plotë për garantimin e aksesit dhe ndihmës për banorët. Varkat janë prezente për transport dhe ndërhyrje në rast nevoje.
Në Obot raportohet prezencë uji në oborret e disa banesave, ndërsa deri në këto momente nuk ka të dhëna për depërtim të ujit në brendësi të tyre.
Ndërkohë, në Njësinë Administrative Dajç, konkretisht në zonën Urrelat–Shirq, është shënuar gjithashtu ulje e nivelit të ujit rreth 10 centimetra. Vijon prezenca e ujit në kanalet kulluese të tokave bujqësore, pa rrezik për banesat.
Sa i përket sipërfaqes së tokës bujqësore me prezencë uji, ajo vlerësohet në rreth 760 hektarë, të shpërndara në Dajç 80 hektarë, Velipojë 100 hektarë, Ana e Malit 530 hektarë dhe Bërdicë 50 hektarë.
Autoritetet konfirmojnë se situata paraqitet e qëndrueshme dhe në përmirësim, ndërsa monitorimi në terren vijon pa ndërprerje nga strukturat përgjegjëse.

Artikulli paraprakORTEQE NË QAFË THORE, BLLOKOHET RRUGA
Artikulli tjetërPËRFUNDON NDËRHYRJA NË KIR,RIKTHEHET QARKULLIMI