
Qyteti i Shkodrës është përballur me 24 orë mungesë të furnizimit me ujë, pas ndërhyrjes për lidhjen e rrjetit të ri me stacionin kryesor në Dobraç.
Ndërsa Ujësjellës Kanalizime Shkodër kishte njoftuar se furnizimi do të rikthehej rreth orës 17:00 të ditës së hënë, punimet kanë zgjatur më shumë se sa ishte parashikuar, duke përfunduar vetëm pas mesnate. Kjo situatë ka sjellë vështirësi për mijëra qytetarë, veçanërisht në kushtet e temperaturave të larta që po përjeton vendi.
Sipas njoftimit të Ujësjellësit, etapa e parë e punimeve është përmbyllur me sukses dhe gjatë këtij procesi është realizuar kalimi i një pjese të rrjetit të vjetër në rrjetin e ri. Institucioni bën të ditur se ekipet teknike kanë punuar gjatë gjithë natës dhe deri në orët e para të mëngjesit për të përshpejtuar përfundimin e ndërhyrjes.
Megjithatë, zgjatja e afatit të paralajmëruar ka shkaktuar pakënaqësi te qytetarët, të cilët u detyruan të përballojnë mbi një ditë pa ujë të pijshëm dhe pa furnizim për nevojat bazë familjare.
Ujësjellësi ka falënderuar qytetarët për mirëkuptimin, ndërsa ka bërë të ditur se punimet do të vijojnë edhe në fazat e ardhshme me qëllim përmirësimin afatgjatë të furnizimit me ujë në qytetin e Shkodrës.
Edhe për ditën e nesërme Uk ka paralajmëruar ndërprerje të furnizimit me ujë për përfundimin e fazës tjëtër të investimin por pritet që kjo të konfirmohet në orët në vijon përmes deklaratës zyrtare nga UKSh.






