
Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci, ka ndarë në rrjetet sociale një analizë mbi ecurinë e turizmit në qytet, duke e cilësuar transformimin e viteve të fundit si “të jashtëzakonshëm”.
“Pas një sezoni veror të suksesshëm, ju ftoj të lexoni analizën e turizmit në Shkodër. Shifrat tregojnë transformimin e jashtëzakonshëm të qytetit tonë,” shkruan Beci në Facebook.
Sipas të dhënave të publikuara:
• Në vitin 2022 në bashkinë tonë u regjistruan rreth 264 mijë netë akomodimi, ndërsa në vitin 2025 ky numër pritet të arrijë mbi 538 mijë – një dyfishim brenda katër vitesh.
• Deri në gusht të këtij viti është tejkaluar shifra e gjithë vitit 2024.
• Qyteti ka trefishuar netët e qëndrimit krahasuar me vitin 2022, me rritje të dukshme jashtë sezonit veror.
• Sipas INSTAT, qarku i Shkodrës është ndër dy qarqet me përqindjen më të lartë të rritjes së bizneseve turistike në dy vitet e fundit.
“Ky zhvillim nuk është thjesht statistikë, por përkthehet në dhjetëra milionë euro të ardhura gjatë vitit 2025 dhe në qindra vende pune të plota në qytet dhe zonat përreth,.
Kryebashkiaku theksoi se rritja turistike është e shpërndarë në të gjithë territorin: Velipoja mbetet gjenerator kryesor, Thethi po përjeton një bum të ri falë promovimit ndërkombëtar, ndërsa qyteti i Shkodrës po konsolidohet si destinacion gjithëvjetor falë ofertës kulturore e muzeale.
Kjo do të thotë se Shkodra tashmë ofron një profil të diversifikuar turistik: det, qytet, liqen, lumenj dhe mal – një kombinim unik në Shqipëri ku destinacione të reja turistike pranë lumit Kir, lumit Buna, lumit të Shalës po konsolidohen në produkte të mirëfillta turistike.
Vetëm qyteti i Shkodrës mban mbi 90% të netëve të akomodimit në muajt e ftohtë, duke garantuar që hotelet, restorantet dhe muzetë të mbeten hapur dhe stafi të vazhdojë të punojë.
Ky është një ndryshim i madh nga e kaluara, kur aktiviteti pothuajse pushonte pas shtatorit. Sot, bizneset kanë më shumë arsye për të qëndruar hapur gjatë gjithë vitit dhe për të mbajtur të punësuar punonjësit e tyre.
Beci paralajmëroi një fazë të re partneriteti mes pushtetit vendor, bizneseve, akademisë dhe shoqërisë civile, për të forcuar ofertën turistike jashtë sezonit veror dhe për të ndërtuar një model të qëndrueshëm.
“Turizmi nuk është më një premtim i largët – është sot një sektor real, që gjeneron punë e të ardhura për qytetarët e Shkodrës,” përfundon ai.






