Të paktën 400 emigrantë të paligjshëm që vijnë nga vendet e treta për t’i shpëtuar luftës janë shoqëruar në policinë vendore të Shkodrës gjatë gjithë këtij viti. Shifrat i bën të ditur specialisti për trajtimin e emigrantëve të parregullt në policinë e Shkodrës Luan Kolziu. Edhe pse në fakt numri i emigrantëve nga Siria, Afganistani, Pakistani apo shtete të tjera të ngjashme që mbërrijnë në Shkodër në mënyrë ilegale për të kaluar në Malin e Zi është shumë më i madh, specialisti Kolziu thotë se efektivët kanë shoqëruar jo më shumë se 400 emigrantë këtë vit që i bie mesatarisht një ose maksimumi dy në ditë.

Specialisti Kolziu thotë se të gjithë emigrantët kërkojnë që nga vendet e origjinës të shkojnë drejt vendeve të Bashkimit Europian. Për policinë e shtetit të gjitha zonat kufitare ku tentojnë të kalojnë emigrantët drejt Malit të Zi janë një shqetësim.

Shpesh policia e Shkodrës ndalon drejtues automjetesh të cilët transportojnë emigrantë të paligjshëm nga Elbasani, Korça, Gjirokastra apo Tirana drejt Shkodrës deri në afërsi të pikave kufitare. Specialisti Kolziu i pyetur nëse kjo është zgjidhja e duhur për shkak se vetë ne shqiptarët jemi një popull emigrantësh, tha se ndalimi i shoferëve është pjesë e ligjit.

Shkodra është një prej qyteteve më problematike sa i përket numrit të emigrantëve nga vendet e treta për shkak të katër pikave kufitare që janë më Malin e Zi, shtet ku vijon rrugëtimi i emigrantëve me destinacion vendet e BE. Transportimi i tyre nga qytetet e tjera në afërsi të pikave kufitare varion deri në 2 mijë euro ndërsa brenda një dite mund të kalojnë edhe më shumë se 50 emigrantë.

Artikulli paraprakPREMIERA “VIZITA” SJELL SHQIPËRINË E 80 VITEVE
Artikulli tjetërEKSPOZITA “FILIGRANI ARTI I T’PARËVE”