Partitë politike në Qarkun Shkodër dhe kandidatët për deputet kanë respektuar heshtjen zgjedhore një ditë përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Edhe në Shkodër ashtu si në gjithë Shqipërinë pritet një garë e fortë mes kampeve politike. Në qarkun Shkodër janë 8 Komisione Zonale të Administrimit të Zgjedhjeve, një në Malësinë e Madhe që është KZAZ 1, katër në Shkodër KZAZ 2,3,4,5 një në Vau Dejës KZAZ 6 dhe nga një në Pukë dhe Fushë Arrës, KZAZ 7 dhe 8.

Në total në qarkun Shkodër janë 411 qendra votimi nga 421 që ishin në zgjedhjet e 2017 dhe kanë të drejtë vote 272.078 zgjedhës nga 263.728 që ishin në 2017, pra afro 9 mijë më shumë këtë radhë. Në 2017-ën pjesëmarrja në votimi në qarkun Shkodër ishte 42.62% ndërsa votuan 112.400 zgjedhës, një shifër e ulët kjo krahasuar me pritshmëritë asokohe. Qendrat e votimi pritet që të hapen në orën 7:00 të mëngjesit në gjithë qarkun.

Në bashkinë Shkodër janë 250 qendra votimi dhe 166.983 zgjedhës nga 160.889 që ishin në 2017-ën ndërsa para katër vitesh pjesëmarrje për këtë bashki ishte 41.60% ndërsa votuan 66.937 persona. Në bashkinë Malësi e Madhe janë 72 qendra votimi dhe në 25 prill kanë të drejtë vote 45.267 zgjedhës nga 43.347 që ishin në 2017 si dhe pjesëmarrja ishte 39.47% ndërsa votuan 17.108 zgjedhës.

Në bashkinë Vau Dejës janë 53 qendra votimi dhe lista e zgjedhësve është 39.313 nga 38.081 që ishin në 2017. Edhe atje pjesëmarrja ishte 44.73% ndërsa votuan 17.035 shtetas. Në bashkinë Pukë janë 20 qendra votimi me 11.829 zgjedhës ndërsa në 2017-ën pjesëmarrja në votime në këtë bashki ishte 54.69%, më e larta në gjithë qarkun pasi votuan 6.751 zgjedhës nga 12.343 që ishin në total.

Bashkia e fundit për numrin e zgjedhësve është Fushë Arrësi me 16 qendra votimi dhe 8.686 zgjedhës ndërsa në 2017-ën pjesëmarrja në këtë bashki ishte 50.44% me 4.569 persona që votuan nga 9.058 që ishin në total. Në zgjedhjet e 2017 Partia Demokratike mopri 5 mandate në qarkun Shkodër, PS 4 mandate, dhe PSD dhe LSI nga një mandate secila.

Këtë radhë pritshmëritë e PD janë që të arrijë deri në 7 mandate ndërsa PS rezultatin më optimal e ka për 5 mandate si dhe PSD dhe LSI synojnë nga 2 mandate secila. Po ashtu nga një mandat deputeti në qarkun Shkodër synojnë edhe forcat e reja politike, Jozefina Topalli që për herë të parë nuk është nën siglën e PD por Lëvizja për Ndryshim si dhe Tonin Uldedaj që kandidon për Bindjen Demokratike.

Në rang kombëtar në 2017-ën pjesëmarrja ishte 46.77% ndërsa votuan 1.613.960 shqiptarë dhe 3.452.324 me të drejtë vote. Në 2017-ën PS mori 74 mandate duke formuar qeverinë ndërsa PD me 43 mandate që bashkë me LSI me 19 mandate ishin forcat opozitare në këto 4 vite.

PDIU mori 3 mandate dhe LSD një mandat. Star Plus Televizion që herët në mëngjes do tëjetë në një transmetim maratonë drejtpërdrejtë për të sjellë që nga momenti i hapjes së qendrave të votimit dhe më pas në darkë me numërimin pranë KZAZ-ve çdo zhvillim të mundshëm. Po ashtu Star Plus i bën thirrje zgjedhësve të qarkut Shkodër që të dalin dhe të votojnë më 25 prill për të ardhmen tonë dhe të familjeve tona duke shpresuar në një proces sa më të qetë e pa probleme!

Artikulli paraprakSHKODËR, PROBLEME ME MENAXHIMIN E VIJËS BREGDETARE
Artikulli tjetërZGJEDHJET E 25 PRILLIT, PREFEKTJA ANGONI THIRRJE QYTETARËVE