
Bashkia e Shkodrës i është bashkuar nismës për një ditë pa makina që ka ndërmarrë ministria e Turizmit dhe e Mjedisit. Për realizimin e kësaj nisme bashkia Shkodër së bashku me Policinë e Shtetit ka marrë masat e nevojshme për të bllokuar qarkullimin e automjeteve në disa prej akseve të qytetit për të cilat qytetarët janë njoftuar prej ditësh. Akse rrugore në Shkodër janë bllokuar nga ora 9:00 deri në 12:00 ku patrullat e policisë nuk kanë lejuar qarkullimin në akset kryesore të qytetit.
Pas orës 12:00 qarkullimi iu kthye normalitetit dhe akset e bllokuara u liruan duke nisur lëvizjen e mjeteve.Akset të cilat kanë qënë të bllokuara në kuadër të kësaj dite ishin rruga në lagjen Xhabije, Parrucë, rruga që të çon drejt sheshit Demokracia, qendra e qytetit, ish dega e brëndshme, Gjuhadol si dhe rruga në lagjen Perash. Në akset e tjera të qytetit të Shkodrës ku qarkullimi lejohej për tre orë me radhe u shkaktua një kaos në lëvizje për shkak të trafikut nga mjetet. Reshjet e shiut gjatë ditës së sotme bënë që në rrugët e qytetit të ketë një numër më të madh mjetesh se zakonisht. Ndërkohë shumë prej qytetarëve ishin të painformuar për ditën pa makina dhe kërkonin të kalonin në akset që ishin të bllokuara por nuk u lejuan nga policia duke gjetur rugë të tjera alternative. Në rastet e emergjencave mjetet janë lejuar që të kalojnë. Nismës së ministrisë së Turizmit për ditën pa makina i janë bashkuar edhe qytetet të tjera të Shqipërisë.
Hartimi i planit kombëtar të ditëve pa makina u bë i ditur disa javë më parë nga vetë ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro. Nisma erdhi si një nevojë për të angazhuar shoqërinë për të mbrojtur mjedisin duke reduktuar lëvizjen me makinë në ditët kur janë pushim.