
Humori rikthehet në skenën e Teatrit “Migjeni”. “Shkodra ka plot dashuri” është shfaqja që do të sjellë të qeshura dhe atmosferë festive për publikun shkodran, nga data 23 deri më 27 shtator. Varieteja e humorit vjen nën regjinë e Zehrudin Dokles, ndërsa drejtimin muzikor nga Ilir Zoga. Në skenë do të ngjitet një kast i përzgjedhur aktorësh dhe artistësh, me një ndërthurje mes eksperiencës dhe energjisë së artistëve të rinj.
Për regjisorin Zehrudin Dokle, gjithçka është gati për një shfaqje që synon të përcjellë humor dhe emocione për publikun shkodran. Për aktorët e rinj, ngjitja në skenën e Teatrit “Migjeni” është një moment i veçantë dhe një mundësi për të ndarë me publikun pasionin e tyre për artin.
“Shkodra ka plot dashuri” do të vijë për pesë mbrëmje radhazi në skenën e Teatrit “Migjeni”, duke ftuar publikun të bëhet pjesë e një feste të muzikës, humorit dhe teatrit në Shkodër.


