
Shkodra vijon tërheqë turistë nga vende të ndryshme, të cilët vlerësojnë natyrën, pastërtinë dhe mundësitë e shumta që ofron qyteti.
Vizitorët shprehen të mahnitur nga perëndimi mbi Liqenin e Shkodrës, gjelbërimi, kodrat dhe aktivitetet turistike, nga shëtitjet me biçikletë te lundrimi me varkë dhe biçikletat e ujit.
Turistët:
“Që në pamjen e parë është thjesht mahnitëse, e jashtëzakonshme. Ky perëndim është diçka e pabesueshme dhe me shumë mundësi do të rikthehemi përsëri këtu. Më pëlqeu shumë.
Rruga e kthimit ishte edhe pak si stërvitje, por me biçikletë u ndjeva shumë e sigurt. Zakonisht jam pak e ngathët dhe kam forma, ndaj ndihem disi në ankth kur ngas biçikletën, por këtu u ndjeva shumë mirë.
Liqenin sapo e kemi parë, vetëm gjatë gjysmë orës së fundit. Është shumë i bukur. Sapo zbuluam edhe këto biçikletat e ujit; nuk kishim parë kurrë diçka të tillë më parë.
Jam nga Londra. Po, është hera ime e parë këtu. Po qëndrojmë në një vilë shumë të këndshme, ku kemi edhe pishinë.
Në Shkodër sapo kemi mbërritur. Fillimisht ishim në Tiranë dhe tani jemi këtu. Kemi vetëm disa orë që kemi ardhur. Tani do të marrim një varkë me qira dhe do të bëjmë edhe një not.
Është shumë bukur këtu. Mendoj se më pëlqen më shumë se Tirana. Është më e pastër dhe më e këndshme. Patjetër që do t’ua rekomandoja të tjerëve.
Natyra është e mrekullueshme. Ky kombinim i ujit, kodrave madhështore dhe gjelbërimit kudo është fantastik. Më pëlqen shumë.
Edhe gjatë një rruge të zakonshme, duke u kthyer nga mali apo kodra, sheh kaq shumë fruta dhe bimë nëpër kopshte. Nuk kam parë kurrë kaq shumë shegë që rriten thjesht nëpër oborre. Është fantastike.”
Përshtypjet e turistëve dëshmojnë se Shkodra po forcon gjithnjë e më shumë profilin e saj si një destinacion i rëndësishëm turistik, ku ndërthuren natyra, mikpritja dhe përvojat e larmishme.






