Turizmi në Shqipëri ka qenë tradicionalisht i lidhur me bregdetin, por vitet e fundit kjo panoramë po ndryshon. Falë promovimit në mediat ndërkombëtare dhe rrjetet sociale, destinacione të tjera po fitojnë gjithnjë e më shumë vëmendje nga vizitorët vendas dhe të huaj.
Mes tyre, Shkodra po shfaqet si një nga tregjet më dinamike të turizmit në vend. E njohur për trashëgiminë historike, pasurinë kulturore dhe pozicionin strategjik mes Alpeve Shqiptare, liqenit dhe detit, qyteti verior po regjistron ritme të larta zhvillimi në sektorin e akomodimit afatshkurtër.
Sipas të dhënave të AirDNA për periudhën 12-mujore të mbyllur në mars 2026, Shkodra ka shënuar rritjen më të lartë të normës së zënies së akomodimeve të listuara në Airbnb ndër tregjet kryesore turistike të vendit.
Rritja nuk reflektohet vetëm te kërkesa. Numri i njësive të listuara për qira afatshkurtër në Shkodër është rritur nga 1,032 në mars 2025 në 1,309 në mars 2026, duke e renditur qytetin mes tregjeve me zgjerimin më të shpejtë të ofertës.
Ndërsa Tirana vijon të mbajë normën më të lartë të zënies dhe Vlora mbetet tregu me inventarin më të madh të akomodimeve, ritmi i rritjes së Shkodrës e veçon atë si një destinacion në ngjitje, me potencial për të tërhequr turistë gjatë gjithë vitit.
Edhe çmimet e akomodimit mbeten konkurruese. Sipas të dhënave, çmimi mesatar ditor në Shkodër është 47 euro për natë, më i ulët krahasuar me Golemin dhe Vlorën, ku arrin në 67 euro, si dhe Durrësin me 63 euro për natë.
Zhvillimi i qëndrueshëm i kërkesës dhe investimet në kapacitete të reja po e shndërrojnë Shkodrën nga një ndalesë të zakonshme turistike në një destinacion të mirëfilltë, që po fiton gjithnjë e më shumë peshë në hartën turistike të Shqipërisë.

Artikulli paraprakVELIPOJË, PLAZHI PUBLIK MIRËPRET PUSHUESIT
Artikulli tjetërKOÇEKU RRESHTOHET KRAH PROTESTUESVE, POSTON FLAMINGO