Shkodra u bë mbrëmjen e së hënës një nga ndalesat e “Kolonës për Palestinën”, një iniciativë paqësore që ka bashkuar aktivistë, vullnetarë humanitarë dhe qytetarë nga vende të ndryshme të Europës në shenjë solidariteti me popullin palestinez. Aktiviteti u zhvillua në sheshin para Bashkisë së Shkodrës, ku dhjetëra qytetarë iu bashkuan pjesëmarrësve për të shprehur mbështetjen e tyre ndaj popullsisë civile në Palestinë. Gjatë tubimit u përcollën mesazhe në favor të paqes, solidaritetit mes popujve dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Karvani po përshkon disa shtete europiane në itinerarin e tij drejt Stambollit, ku pritet t’i bashkohen pjesëmarrës nga vende të tjera përpara vazhdimit të etapës së ardhshme të misionit. Sipas organizatorëve, qëllimi i nismës është të mbështesë përpjekjet për dërgimin e ndihmave humanitare në Gaza, si edhe të tërheqë vëmendjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj krizës humanitare në këtë territor.

Organizatorët theksuan se kjo nismë synon të rrisë ndërgjegjësimin për situatën humanitare në Palestinë dhe të shprehë mbështetje për civilët e prekur nga konflikti. Në përfundim të aktivitetit, pjesëmarrësit përsëritën thirrjet për paqe, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe forcimin e solidaritetit ndërkombëtar.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakVLLAZNIA U-19 NIS PËRGATITJET PËR SEZONIN E RI
Artikulli tjetër“MUZEU I KUJTESËS” I HAPUR NË SHTATË DITË TË JAVËS