
Në shtëpinë ku lindi dhe kaloi vitet e para të jetës tenori i njohur Shkodran Ibrahim Tukiçi, në lagjen Rus të Shkodrës, u përurua një pllakë përkujtimore në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së tij.
Në këtë ceremoni, djali i tij, David Tukiçi, vuri theksin te rëndësia e ruajtjes së kujtesës dhe vlerës së trashëgimisë artistike që la pas i ati, ndërsa Genc Tukiçi solli në vëmendje kujtime personale dhe këshillat që ka marrë prej tij gjatë jetës.
Zëvendëskryetarja e Bashkisë Shkodër, Teuta Qyteza, e cilësoi Ibrahim Tukiçin si një nga figurat më përfaqësuese që kanë nderuar qytetin dhe kulturën shqiptare, ndërsa kompozitori Zef Çoba theksoi nevojën që nisma të tilla përkujtimore të shtrihen edhe për figura të tjera të artit shkodran.
Në aktivitet morën pjesë familjarë, artistë dhe përfaqësues të institucioneve vendore, në një homazh për jetën dhe kontributin e Artistit të Popullit në muzikën shqiptare.






