Qyteti i Shkodrës këtë të shtunë është përfshirë nga reshjet e borës. Që në orët e paradites bora ashtu siç pritej nisi edhe në qytetin e Shkodrës. Rënia e temperaturave deri në -4 gradë celcius në Shkodër ka bërë që bora të jetë prezent edhe në këtë qytet.

Ndryshe nga ditët e fundit, sot qyteti kishte më pak lëvizje se zakonisht në orët e mëngjesit për shkak të ftohtit por edhe borës e cila filloi gradualisht që herët për të vijuar për disa orë me radhë. Rrugët por edhe lokalet ndryshe nga ditët e kaluara ishin thuajse të boshatisura duke përjashtuar qendrën e qytetit.

Në lagjet e tjera, lëvizja është shumë më e paktë. Temperaturat deri në -4 gradë kanë bërë që qytetarët të zgjedhin të qëndrojnë në shtëpi për të shmangur borën por edhe të ftohtin që mund t’i sjellë edhe probleme shëndetësore. Deri më tani reshjet e borës nuk janë edhe aq intensive gjë e cila nuk ka krijuar probleme në lëvizjen e këmbësorëve, atyre që ecin me biçikleta apo edhe për mjetet motorike.

Ndërkohë që duhet pritur orët në vazhdim në rast se do të ketë reshje më të dendura. Gjithsesi në disa fshatra të ndryshëm si shkak i erës dhe reshjeve të borës ka patur probleme me energjinë elektrike ndërkohë punonjësit e OSHEE janë në terren për të riparuar këto defekte dhe për të rikthyer energjinë elektrike për qytetarët.

Ajo që këshillohet është që qytetarët të mos bëjnë udhëtime të gjata dhe t’i shmangin ato nëse nuk janë të domosdoshme për të qenë sa më të sigurtë sepse në disa qytete të tjera, kryesisht në zonën e veriut ka probleme me borën ashtu siç edhe në disa qytete të jugut.

Ndërkohë më problematike paraqitet situata në Malësinë e Madhe, në zonën e Bogës por edhe fshatrat malor të Dukagjinit pjesë e bashkisë Shkodër të cilët janë të izoluar, kanë probleme me energjinë elektrike dhe disa akse rurale janë vështirësisht të kalueshme duke sjellë vështirësi për banorët atje.

Ndërkohë sipas parashikimeve këto ditë do të vijojnë që të jenë me temperature të ulta deri në -5 gradë dhe nuk përjashtohet mundësia që edhe në ditët e ardhshme të ketë reshje bore.