Bashkia Shkodër mori pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit dhe Sportit, të organizuar në Prishtinë. Drejtori i Turizmit, Renato Lumçi, theksoi se falë investimeve dhe promovimit, turizmi në Shkodër po njeh një rritje të ndjeshme, ndërsa ky vit pritet të sjellë një bum vizitorësh, pasi Shkodra është shpallur “Kryeqyteti Europian i Sportit”.

Organizatori i panairit, Blerim Kullashi, dhe kryetari i Odës së Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës, Hysen Zogojeva, dhanë lajmin se së shpejti do të nënshkruhet një marrëveshje bashkëpunimi me Bashkinë Shkodër, me synim zhvillimin e përbashkët të sektorit të turizmit dhe hotelerisë.

Interes të veçantë në panair pati për destinacionin Velipojë, sidomos për rrugën e re që lidh Shëngjinin me këtë zonë turistike. Gjatë dy ditëve të aktivitetit, Bashkia Shkodër prezantoi një udhëtim virtual multimedial mbi atraksionet natyrore, kulturore dhe historike të qytetit.

Artikulli paraprakTAKIM ME AUSTRIAKËT PËR TURIZMIN NË SHKODËR
Artikulli tjetër“EJA NË MUZE”, AKTIVITET NË MUZEUN E KËSHTJELLËS