Tre ditë më parë, në shkollën 9-vjeçare “Tringë Smajli” në fshatin Grudë e Re Inspektoriati I Shtetëror Shëndetësor ka ndërprerë furnizimin me ujë të pijshëm pasi uji që konsumonin nxënësit dhe mësuesit ishte I ndotur.

Pas marrjes në dijeni të këtij informacioni, kanë reaguar prindërit të cilët tregojnë se janë shqetësuar për shëndetin e fëmijëve. Ata tregojnë se prej vitesh nuk janë bërë analiza të mirëfillta të ujit dhe fëmijët kanë qenë të ekspozuar përballë infeksioneve të shumta.

Ata kërkojnë nga institucionet që të ndërtohet një rrjet me të gjitha kushtet, në mënyrë që fëmijët të kenë siguri gjatë konsumimit të ujit në shkollë.

Në shkollën “Tringë Smajli” furnizimi me ujë është bërë përmes shpimit, ku si pasojë është vënë re edhe prezenca e elementeve mikrobikë. Inspektoriati Shtetëror Shëndetësor e ka ndaluar konsumimin e këtij uji të ndotur në ambjentet e shkollës deri në momentin që të ndërtohet një rrjet I kanalizimeve të ujërave të bardha me të gjitha standartet.