Rikthimi në shkollë ka një paradoks: arsimi publik është falas, por hyrja në të nuk është. Një vrojtim i çmimeve në Tiranë tregon se, nëse një familje duhet të blejë nga e para çantën, kancelaritë, atletet dhe një garderobë bazë, shporta e shtatorit mund të arrijë rreth 37,200 lekë për një fëmijë. Për dy ose më shumë fëmijë, fatura bëhet e kripur.
Shtatori ka një mënyrë të vetën për t’i bërë shpenzimet e vogla të duken të mëdha. Një fletore kushton pak. Një laps po ashtu. Edhe një bluzë, e marrë veçmas, nuk duket si një goditje për buxhetin.
Por shkolla nuk nis me një fletore, një laps apo një bluzë. Ajo nis me një listë. Dhe listat kanë zakonin e pakëndshëm që, kur mblidhen, të prodhojnë një shifër krejt tjetër nga ajo që prindi kishte në mendje kur hyri në dyqan.
Në të njëjtën shportë përfundojnë fletoret, stilolapsat, lapsat me ngjyra, vizoret, kutia e lapsave, materialet e vizatimit, mbështjellëset e librave dhe dhjetëra artikuj të tjerë që kushtojnë nga disa dhjetëra deri në disa qindra lekë secili. Pastaj vjen çanta, zakonisht një nga blerjet më të mëdha të fillimvitit. Pas saj atletet, pantallonat, bluzat, veshjet sportive dhe, sipas shkollës, uniforma.
Dhe kjo është vetëm dita e parë. Rikthimi në shkollë nuk është një shpenzim i vetëm, por fillimi i një serie të vogël pagesash që vazhdojnë edhe pasi ka rënë zilja e parë. Një material që mësuesi e kërkon më vonë, një fletore tjetër, fotokopje, mjete për një projekt, një palë atlete që duhen vetëm për fiskulturë apo një veshje që mungonte në blerjet e para.
Në familjet ku ka dy apo tre fëmijë, këto shpenzime nuk shumëzohen gjithmonë në mënyrë të drejteperdrejte, sepse disa gjëra mund të trashëgohen nga njëri fëmijë te tjetri, por presioni mbi buxhetin rritet ndjeshëm.
Për një familje që mund të ripërdorë çantën e vitit të kaluar, të blejë vetëm disa rroba ose të presë uljet, kostoja mund të jetë dukshëm më e ulët. Për një tjetër, ku fëmija ka ndryshuar masën e këmbës, çanta është konsumuar dhe garderoba duhet rifreskuar, shtatori nis praktikisht nga zero. Kështu, kostoja e shkollës nuk përcaktohet vetëm nga çmimi i artikujve, por shpesh edhe nga ekonomia e riperdorimit.
Dy fëmijë? Një problem tjetër
Për një familje që nuk ka nevojë të zëvendësojë çantën, atletet apo të gjithë garderobën, fatura mund të jetë dukshëm më e ulët. Pikërisht kjo është arsyeja pse 34,200 lekët nuk duhen lexuar si një shumë që çdo prind do ta paguajë. Ato tregojnë se sa kushton një “reset” relativisht i plotë për fillimin e shkollës, me produkte të segmentit të mesëm.
Për dy fëmijë, e njëjta shportë tejkalon 60 mijë lekë, pra është më shumë se sa një pagë minimale. Po ta krahasojmë me pagën mesatare në vendin tonë, e cila sipas INSTAT është 90.119 lekë, shporta për një fëmijë është ekuivalente me rreth 38% të pagës mesatare; për dy fëmijë, pesha arrin në rreth 76% të saj.
Mënyra më e drejtpërdrejtë për të ulur faturën e shtatorit mbetet ripërdorimi: një çantë, një palë atlete apo veshjet që mund të përdoren edhe një vit tjetër mund ta ulin ndjeshëm shportën. Ndërsa familjet përpiqen të blejnë vetëm atë që duhet zëvendësuar, për tregtarët “Back to School” është një nga sezonet e konsumit, ku ofertat, setet dhe produktet e licencuara synojnë ta zgjerojnë listën përtej nevojave bazë./Monitor


