Një pjesë e murit rrethues në shkollën 9-vjeçare të fshatit Trush të njësisë Bërdicë në Shkodër është shembur. Drejtoresha e shkollës së Trushit Besë Pëllumbi shprehet se prej dy vitesh ka dërguar shkresa në bashkinë Shkodër kur janë shfaqur shenjat e para të shembjes por nuk është marrë asnjë masë derisa para dy ditësh muri u shemb.

Fatmirësisht muri ka rënë rreth orës 16:30 dhe në shkollë nuk kishte asnjë nxënës sepse në të kundërt mund të kishte qenë fatal sepse shkolla ka një numër të madh nxënësish. Drejtoresha kërkon që tashmë pas kësaj situate të nisë një procedim penal nga prokuroria.

Drejtoresha e shkollës thotë se ajo dhe mësuesit kanë frikë se edhe godina e shkollës mund të rrezikojë duke qenë se është ndërtuar në vitin 2009, në një kohë me murin që u shemb dhe cilësia e punimeve mund të jetë e dobët edhe për shkollën.

Prindërit e fëmijëve janë të shqetësuar sepse edhe pjesa tjetër e murit rrethues që ka mbetur rrezikon shembjen ndërsa kërkojnë që edhe shkollës ti bëhet një kontroll teknik sepse ka plasaritje.

Aktualisht mësimi në shkollën 9-vjeçare të fshatit Trush vijon normalisht edhe pse mësuesit, nxënësit dhe prindërit e tyre nuk kanë asnjë lloj sigurie pas shembjes së murit rrethues dhe plasaritjeve që kanë marrë muret e shkollës kudo rreth e rrotull.

 

Artikulli paraprakFESTAT, “LARG GRUMBULLIMEVE, SHMANGNI INFEKTIMIN”
Artikulli tjetërSHKODËR, ULEN SËRISH SHITJET E BARNAVE GJATË VITIT 2021