
Rruga e Dukagjinit me një gjatësi prej 42 kilometër nuk do të ketë asnjë investim nga qeveria shqiptare të paktën edhe për këtë vit.
Tre njësitë administrative të Dukagjinit, Shala, Pulti dhe Shoshi i janë drejtuar me një shkresë zyrtare kryeministrit Edi Rama për të bërë të mundur rikonstruksionin e rrugës nga Prekali në Breg të Lumit por kanë marrë një përgjigje negative nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Me 22 janar të këtij viti administratorët e tre njësive të Dukagjinit, Petrit Arra, Zef Livalli dhe Tom Marku i kanë dërguar një shkresë zyrtare kryeministrit duke i thënë se:
“Si ashpërsia e këtyre maleve të larta ka mbetur edhe infrastruktura që shtrihet në këtë zonë. Në 25 vitet e fundit në këto 3 njësi nuk është bërë asnjë investim. Në Dukagjin jeton një popullsi prej 9400 banorësh. Vihet re një lëvizje e madhe e vizitorëve që shkojnë tek të afërmit apo edhe një numër i madh turistësh. Infrastruktura rrugore është shumë e dobët dhe nga Prekali në Breg të Lumit përshkohet vetëm me automjete tip foristrada 4×4. Ky segment quhet edhe rruga e vdekjes në të cilën kanë humbur jetën 54 persona.
Në shtatorin e vitit 2013 Fondi Shqiptar i Zhvillimit pati hartuar një projekt për riparimin dhe asfaltimin e rrugës Kisha Prekal-Kisha e Kirit me një gjatësi prej 13 km, projekt ky që mbeti vetëm në letër. Intelektual, biznesmen, emigrant dhe bijë të këtyre krahinave po mundohen që të krijojnë një fond sado modest me kursimet e tyre që të bëjnë të mundur dhe të sensibilizojnë organet e qeverisjes qëndrore dhe vendore që të vendosin dorën në zemër në mënyrë që të fillojë sa më parë të paktën ndërtimi i rrugës nga Prekali në Kir meqenëse ka edhe numrin më të madh të humbjes së jetëve të njerëzve.
Projektin e kemi dorëzuar tek Prefekti i Qarkut Shkodër. Duke patur besim tek ju Z.Kryeministër shpresojmë që qeveria shqiptare do i kthejë sytë edhe nga kjo trevë”. Në 23 shkurt pas një muaji ka ardhur një përgjigje negative. “Në përgjigje të shkresës tuaj ju bëjmë me dije se segmentet rrugore nga Prekali në Bregun e Lumit nuk janë në inventarin e rrjetit rrugor kombëtar që administron Autoriteti Rrugor Shqiptar. Prandaj nga ana jonë nuk mund të parashikohen fonde për rikonstruksionin e tyre”-përfundon përgjigja.






