Kreu i policisë së shtetit, Haki Çako, urdhëron shkrirjen e stacionit të Policisë në Velipojë.

Vendimi është marrë pas inspektimit të kryer me 7 korrik të këtij viti, ku janë konstatuar një sërë shkeljesh sa i takon ndërtimeve pa leje. Policia bën me dije se: “Në datë 7 korrik 2017 u krye inspektimi në Stacionin e Policisë Velipojë, Komisariati i Policisë Shkodër.

Nga verifikimet dhe veprimet e kryera rezultuan disa ndërtime pa leje, si dhe u konstatuan këto mangësi nga Policia vendore:
-Mosnjohja e situatës në lidhje me kontrollin e territorit për ndërtimet e paligjshme kryesisht në zonën e plazhit (përgjegjësi ka ndihmës specialisti i Policimit në Komunitet, specialisti për Krimet dhe Shefi i Stacionit të Policisë).
-Nuk janë zbatuar detyrat e përcaktuara në aktet e ardhura nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (me përgjegjësi ngarkohet Specialisti për Krimet dhe Shefi i Stacionit të Policisë Velipojë)”. Nisur nga shkeljet e konstatuara është vendosur:
– shkarkimi nga detyra i Shefit të Stacionit të Policisë Nënkomisar E.Gj.
– pezullimi nga detyra i Specialistit për Krimet Nënkomisar D.S.j dhe ndaj tij nis hetimi disiplinor
– fillimi i ecurisë disiplinore për shkelje të rënda displinore ndaj Nd/Specialistit të Policimit në Komunitet, Inspektor P.N. Policia e Shtetit deklaron se është e vendosur të ndëshkojë ashpër çdo paligjshmëri, përfshirë edhe masat ndaj punonjësve të saj, kur konstatohen shkelje në detyrë. Në këtë kuadër, fton qytetarët të denoncojnë çdo rast që konstatojnë.