
Restoranti “Lumi i Jetës”, në zonën e Dajçit, bashkia Shkodër, është shkatërruar plotësisht nga një zjarr i rënë gjatë orëve të fundit.
Lokali ndodhej në bregun e lumit Buna, në një mjedis natyror të veçantë, dhe ishte kthyer në një pikë referimi për turizmin në zonë falë konceptit të tij unik. Sipas informacioneve paraprake, shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta.
Në vendngjarje kanë mbërritur dy mjete zjarrfikëse, por ndërhyrja nuk ka mundur të shpëtojë objektin, pasi flakët e kanë përfshirë tërësisht ndërtesën, e cila ishte e ndërtuar kryesisht me material druri. Policia dhe shërbimi zjarrfikës kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj ngjarjeje.






