Tenton të korruptojë punonjësit e Policisë Rrugore, me qëllim shmangien e masës administrative, pasi drejtonte mjetin në mënyrë të parregullt. Një 27 vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Maliqit pasi ka tentuar të korruptojë punonjësit e Policisë Rrugore, me qëllim shmangien e masës administrative.

Blutë kanë arrestuar Besar Shabanllarin, banues në fshatin Mesmal-Maliq. “Arrestimi i tij u bë pasi, më datë 19.12.2017, në rrugën Maliq-Lozhan, gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë Rrugore, kanë ushtruar ndaj dokumentacionit të mjetit tip kamion me targa AA587OG, të cilin shtetasi i mësipërm drejtonte, u konstatua se ky i fundit nuk dispononte leje drejtimi (në kategorinë e duhur) për këtë mjet” thotë policia. Me qëllim shmangien e masës administrative, Shabanllari ka tentuar të korruptojë me një kartëmonedhë të prerjes 2000 lek, punonjësit e Policisë Rrugore, e cila iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale.

Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprat penale “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.