Kryeministri Edi Rama në një intervistë i pyetur për shoqërimin e gazetarit Alfred Lela, nëse kishte dhunë në atë rast, deklaroi se edhe në Amerikë të tilla neutralizime janë normale.

Policia e Shtetit është sjellë në mënyrë europiane. Edhe në BE, edhe në Amerikë shikoni nëse diçka e tillë konsiderohet apo jo dhunë. Mesa duket duhet të biem dakord për fjalën “dhunë”, se çfarë nënkuptojmë me këtë fjalë. Po flasim për një vend normal tashmë, kur më herët kërdiseshe po të ishe gazetar, janë plagosur me kallashnikovë gazetarë dhe janë vrarë njerëz nga kryeministria.

Policia ka thënë se aty do ndërhyhej dhe largimi fizik i një personi është krejt normal. Unë madje mendoj se Policia e Shtetit është provokuar dhe sulmuar fizikisht, është gjetur në pozitë të vështirë. Aty nuk kishte artistë e qytetarë, por kishte një grup politik. Edhe në Amerikë ka neutralizime normale, keni parë përpara Shtëpisë së Bardhë teksa shoqërojnë. Këto janë pamje të neutralizimit të personave që hidhen mbi policinë. Kjo është procedurë normale edhe në Europë”, tha Rama.