
Pranë Postës Shqiptare, të gjithë kategoritë e pensionistëve që përfitojnë shpërblimin prej 3 mijë lekëve të reja për festat e fundvitit, ka filluar shpërndarja që prej ditës së premte. Edhe pse shpërndarja po bëhet përmes një grafiku të veçantë në mënyrë që të shmangen edhe vonesat dhe pritjet e pensionistëve, sërish këta të fundit janë dendur në radhë edhe mëngjesin e kësaj të hëne.
Për shkak të numrit të lartë të tyre vonesa deri në marrjen e parave shkon nga gjysëm ore deri në dy orë. Vetë pensionistët shprehen të shqetësuar për këtë situatë pasi vonesat shkaktohen edhe për mungesë të internetit. Ndërkohë, mendimi i tyre është i ndarë përsa i përket mjaftueshmërisë së shumës që qeveria ka vendosur për këtë fundvit. Shumica janë të pakënaqur.
Këtë fundviti, qeveria ka vendosur shpërndarjen e vetëm 3 mijë lekëve për pensionistët, ndërsa familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike janë përfitues të vetëm 2 mijë lëkeve të reja. Vlen për t’u theksuar që vitet e fundit shuma e shpërblimeve për festa për këto kategori ka ardhur vetëm në rënie.






