Akademiku Artan Fuga komentoi zhvillimet e fundit mbi Reformën Zgjedhore, teksa palët politike duket se po arrijnë konsensusin.

Për akademikun Fuga nuk është problem reforma apo Kodi Zgjedhor, por fakti se kemi klasën më të vjetër politike në botë dhe më të dështuarën.

Reagimi i Artan Fugës:

Klasa më e vjetër politike në botë
——————–
Elektorati i Shqipërisë pret kodin e ri zgjedhor! A do të jetë ai që të ruajë monopolin politik të partisë në pushtet, dhe të partisë në opozitë, apo do të jetë për garë të hapur që ta rinovojë klasën e vjetër politike në Shqipëri!

Klasa më e vjetër politike në botë!

Nuk është fare problemi se çfarë sistemi zgjedhor do të adoptohet. Cdo sistem zgjedhor ka të mirat dhe të këqiat e veta.

Puna është se Kodin Zgjedhor po e bëjnë ata që zgjidhen dhe jo ata që zgjedhin!

Ky është paradoksi shqiptar, absurdi shqiptar, korrupsioni politik shqiptar, baza e të gjitha korrupsioneve të tjera morale, ekonomike, administrative!

Ne kemi klasën politike më të vjetër në botë. Por, që aktualisht është më e dështuara, vendi pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të lartë, jashtë Bashkimit Evropian, me administratë prej militantësh, pa pronë të ligjëshme kthyer te i Zoti, për ibret!

Një kod zgjedhor bëhet i pranueshëm ose jo, merr kuptim vetëm kur ai shihet si integrohet me të gjithë sistemin e qeverisjes të një vendi, me traditat kulturore të tij, me gjendjen e demokratizimit të partive politike, me rregulloren e Kuvendit, me Kushtetutën!

Bëni Kodin Zgjedhor më të mirë, nëse kuadri ku ai futet është i dehur çakërqejf, i korruptuar, i degjeneruar, i lodhur, kurrë nuk ka për të patur përfaqësim të drejtë elektoral.

Këtë e di edhe Mbretëresha e Danimarkës, jo vetëm presidenti i saj!