
Një bombul gazi ka shpërthyer sot rreth orës 06:00 të mëngjesit në banesën e familjes Çokaj. Shpërthimi shkaktoi zjarr që përfshiu një dhomë në katin e parë të shtëpisë, duke rrezikuar jetën e familjarëve që ndodheshin brenda. Të zotët e shtëpisë Sejdin dhe Sulltane Çokaj duke u përpjekur të shpëtonin pronën e tyre tentuan të mbyllnin bombulën e gazit dhe të fiknin zjarrin, por u përfshinë vetë nga flakët dhe pësuan djegie në disa pjesë të trupit. Aktualisht kryefamilajrët po marrin trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Shkodrës.
Aromat e gazit dhe tymi i dendur e bënë ndërhyrjen akoma më të rrezikshme për banorët dhe zjarrfikësit. Për fat të mirë, reagimi i shpejtë i ekipit të zjarrfikësve ishte vendimtar, pasi ata arritën të lokalizonin dhe neutralizonin zjarrit, duke parandaluar përhapjen e flakëve në pjesën tjetër të banesës dhe një tragjedi të mundshme më të madhe. Drejtori I repartit zjarrëfikses në Malësinë e Madhe, Besnik Hasaj theksoi se situata ishte shumë e rrezikshme dhe se reagimi i menjëhershëm shpëtoi familjen nga pasoja edhe më serioze.
Autoritetet bëjnë apel të fortë për kujdes të shtuar gjatë përdorimit të bombulave të gazit, duke paralajmëruar se edhe një gabim i vogël mund të shkaktojë shpërthime dhe zjarre me pasoja të rënda për jetën dhe pronën.






