Të paktën dy persona kanë mbetur të vrarë e me dhjetëra të tjerë të plagosur, në një shpërthim të ndodhur në qytetin portual të Ningbo, Kinë.

Shpërthimi, sipas BBC, ka ndodhur në një fabrikë, rreth orës 09:00 (me orën lokale) në zonën e Jiangbei, duke çuar në rrëzimin e disa ndërtesave. Mediat lokale raportojnë për të paktën 30 persona, të cilët janë dërguar në spital. Policia tha se ka nisur hetimet për të përcaktuar shkakun e këtij shpërthimi. Dyshimet e para janë se shkak mund të jenë bërë cisternat e gazit.

Fatmirësisht zona ku ndodhi ngjarja është industriale dhe një pjesë e mirë e banesave përreth ishin bosh pasi do të prisheshin. Dritaret të thyera u raportuan nga bizneset deri në 1 kilometër largësi nga vendi i shpërthimit.Incidentet industriale janë të zakonshme në Kinë, duke bërë që në disa raste të ketë thirrje për standarde sigurie në punë.

Qeveria thotë se ka nisur punën për inspektimet në terren dhe ashpërsim të masave në rast shkeljesh. Ndonëse numri i vdekjeve në vendet e punës në 2017 -ën ra me më shumë se 25 përqind, në 2016 -ën numri i fataliteteve ishte të paktën 29 mijë.