
Një shpërthim masiv në portin strategjik iranian Shahid Rajaei, në provincën jugore Hormozgan, ka lënë të vdekur të paktën 70 persona dhe mbi 1.000 të plagosur, sipas autoriteteve lokale. Ministri i Brendshëm i Iranit, Eskandar Momeni, tha se ngjarja tragjike është rezultat i “mosrespektimit të masave të sigurisë” dhe “pakujdesisë së rëndë” në trajtimin e materialeve të rrezikshme dhe kimike.
Në një intervistë për televizionin shtetëror iranian mbrëmjen e 28 prillit, Momeni njoftoi se disa persona të përfshirë janë identifikuar dhe janë marrë në pyetje nga autoritetet, megjithëse nuk u dhanë detaje të mëtejshme mbi shkakun e zjarrit fillestar.
Drejtori i menaxhimit të krizave në Hormozgan, Mehrdad Hassanzadeh, tha se pjesa më e madhe e të plagosurve janë tashmë jashtë rrezikut për jetën dhe janë liruar nga spitalet. Ndërkohë, hetimet për incidentin vazhdojnë, ndërsa autoritetet premtojnë masa të reja për përmirësimin e sigurisë në infrastrukturat kritike.