Një sasi tritoli ka shpërthyer në orët e para të mëngjesit në banesën e shefit të krimeve të policisë vendore në Shkodër, Pëllumb Shpati. Nga ky shpërthim që sipas policisë ndodhi rreth orës 3:50 të mëngjesit nuk ka të lënduar në njerëz por vetëm dëme materiale.

Tre automjete në oborr u dëmtuan ndërsa janë thyer edhe xhamat e ndërtesës trekatëshe në fshatin Dobraç i Ri të njësisë Rrethina ku ndodhi ngjarja. Babai i shefit të krimeve, Gjergj Shpati tregon se kjo ngjarje mund të ketë ardhur për shkak të detyrës së të birit në polici ndërsa tregon se në momentin e shpërthimit brenda banesës ishin 17 persona.

Menjëherë pas shpërthimit me tritol policia vendore e Shkodrës dhe prokuroria kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Policia përmes kamerave të sigurisë të një objekti aty afër ka arritur të zbulojë se si një person vjen në këmbë dhe vendos sasinë e tritolit në hyrjen e oborrit të banesës së shefit Pëllumb Shpati. Gjithsesi për shkak të errësirës, ende policia nuk e ka identifikuar këtë person.

Autori i dyshuar pasi vendos tritolin që shpërtheu, ecën në këmbë disa metra dhe më pas hipën në një automjet duke u larguar. Policia dyshon se tritoli ndaj kolegut të tyre Pëllumb Shpati ka ardhur për shkak të detyrës si shef krimesh. Ndërkohë shefi deklaroi se nuk ka patur ndonjë konflikt apo kërcënim gjatë kësaj kohe dhe se e ka të paqartë se cilat janë arsyet e këtij sulmi me lëndë eksplozive ndaj tij. Ndërkohë mësohet se dy vëllezërit e Pëllumb Shpati, njëri është polic burgu dhe tjetri pjesë e ushtrisë si nënoficer.

 

Artikulli paraprakPOLICIA E SHTETIT FESTON 110 VJETORIN: DO LUFTOJMË KRIMIN
Artikulli tjetër32-VJETORI I THEMELIMIT TË PD NË LEZHË