Numri i viktimave që humbën jetën si pasojë e dy shpërthimeve në Ankara ka arritur në 97. Prej sulmit janë prekur edhe 245 persona të tjerë, ku 48 prej tyre vijojnë të mbeten në një gjendje tepër të rëndë. Tragjedia është konsideruar si një vepër tepër e urryer nga Presidenti Taip Erdogan, ndërkohë që qeveria turke e konsideroi ngjarjen si një akt terrorist.

Presidenti amerikan Barak Obama përmes një bisede telefonike me homologun e tij turk Presidentin Rexhep Tajip Erdogan “përcolli ngushëllimet e tij për familjet e viktimave e uroi shërim të shpejtë për të plagosurit”. Kryeministri Ahmet Davutoglu gjithashtu shpalli një zi tre-ditore zyrtare për viktimat e dy shpërthime, si dhe për persona të vrarë në sulme terroriste që nga korriku. Edhe Lideri i Kremlinit, Vladimir Putin ngushëlloi homologun e tij Erdogan përmes një letre ku shprehu solidaritet për popullin turk. Shpërthimet ndodhën pranë stacionit qëndror të trenit në Ankara në kohën kur disa forca politike të majta kishin organizuar një tubim paqësor . E pranishme në këtë aktivitet ishte edhe Partia Demokratike e Popullit, e cila njihet për qëndrimet e saj pro separatistëve kurdë. . Lideri i saj, Selahttin Demirtas, ka fajësuar qeverinë për këtë sulm, duke përdorur tone të ashpra në deklaratat e tij. Mijëra protestues kanë vërshuar në rrugët e qytetit duke mbajtur parullat që shkruanin “Shtet vrasës”. Drejtori i shtypit dhe i informacionit në zyrën e Kryeministrit, Cemalettin Hasimi, është shprehur se autoritetet janë të vendosura që të zbardhin ngjarjen, ndonëse ende nuk ka një raport zyrtar për atë çka ndodhi.