Në Itali po ngrihet alarmi për furnizimin me gaz të vendit. Ngjarja mund të sjellë ndërprerjen e furnizimit me gaz në këtë periudhë dimri, pas shpërthimit të ndodhur mëngjesin e sotëm në një impiant shpërndarjeje në Baumgarten an der March, në Austri, shumë pranë kufirit me Sllovakinë.

Shpërthimi shkaktoi një të vdekur dhe të paktën 18 të plagosur, por rrezikon të krijojë edhe vështirësi në furnizimin energjetik drejt kufijve jugorë e juglindorë të Austrisë, veçanërisht drejt Italisë, Sllovenisë dhe Kroacisë, sipas një zëdhënësi të “Gas Connect Austria”, shoqëri që menaxhon impiantin në fjalë. Shkaqet e shpërthimit nuk janë ende të qarta, por mendohet për një problem teknik. Shpërthimi u pasua nga një zjarr që shkaktoi edhe dëme të konsiderueshme. Baumgarteni është porta tranzit e gazit rus që hyn në Itali përmes Tarvisios, në Friuli, e përfaqëson pjesën më të madhe të importit të gazit drejt Italisë. Pas shpërthimit, fluksi i rrjedhjes së gazit nga Rusia drejt Italisë është ndërprerë “deri në një komunikatë të dytë”, sipas asaj që thuhet në faqen zyrtare të internetit të “Gas Connect”, sipas së cilës impianti tashmë është jashtë funksioni.

Në bazë të rregullores europiane dhe planit të emergjencave kombëtare, ministri i Zhvillimit Ekonomik ka shpallur gjendjen e emergjencës. “Furnizimi me gaz për konsumatorët italianë është i siguruar, gjithsesi, pasi mungesa e importit kompensohet me rritja e furnizimit me gaz nga depot nëntokësore të magazinimit të gazit në vend”, lexohet në komunikatën zyrtare. “Nëse do të kishim efektive TAP-in aktualisht, nuk do të na duhej të shpallnim gjendjen e emergjencës, siç po bëjmë sot, për shkak të incidentit në Austri”, komentoi më tej ministri i Ekonomisë, Carlo Calenda.

Artikulli paraprakVDIQ NË KRYE TË DETYRËS,RAMA MEDALJE DHE MBËSHTETJE FAMILJES SË ELEKTRICISTIT
Artikulli tjetërSHKATËRROHET GRUPI KRIMINAL NË LONDËR