
Dy turistë turq janë shpëtuar nga shërbimet e Policisë, pasi kishin mbetur të bllokuar me motomjetet e tyre në një zonë me terren të vështirë, poshtë Malit të Krrabit në Fushë Arrëz.
Pas marrjes së njoftimit për situatën, shërbimet e Policisë janë nisur menjëherë drejt zonës, duke organizuar kërkimet për lokalizimin e turistëve.
Pas kërkimeve në terren, efektivët kanë arritur t’i lokalizojnë dy turistët dhe kanë ndërhyrë për t’i nxjerrë nga zona e vështirë ku kishin mbetur të bllokuar. Operacioni ka përfunduar me sukses dhe dy turistët turq janë transportuar në një vend të sigurt, së bashku me motomjetet me të cilat udhëtonin.
Ndërhyrja e shërbimeve të Policisë në kohë shmangu çdo pasojë të mundshme për turistët, të cilët ndodheshin në një terren të vështirë dhe të aksesueshëm me vështirësi. Policia vijon të jetë në gatishmëri për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve dhe turistëve, veçanërisht në zonat malore dhe në raste emergjencash.


