Kryeministri Edi Rama ndodhet në Berlin, ku sot rreth orës 14:00 do të takohet me homologen e tij gjermane, Angela Merkel.

Autoritetet e Tiranës nuk e kanë fshehur se presin një sinjal pozitiv nga Merkel, për sa i përket rekomandimit të Brukselit për të hapur negociatat. Pak ditë më parë, kreu i Komisionit për Çështjet e BE-së në Bundestag, Gynter Krishbaum, deklaroi se CDU/CSU nuk do të autorizojë kancelaren gjermane që të mbështesë hapjen e negociatave, pa u plotësuar 7 pritshmëri. Por Tirana zyrtare i ka trajtuar këto si deklarata personale të deputetit gjerman. Shpresa e Kryeministrit Rama është që nga Merkel të marrë të hënën një qëndrim më të butë për çështjen. Në këtë takim, Rama do të kërkojë edhe ndihmën e Berlinit për zhbllokimin e linjës së interkonjeksionit me Kosovën, vënia në punë e së cilës bllokohet nga Serbia.