Nga Bullgaria ka lajme të mira. Parlamenti bullgar i dha mandat Këshillit të Ministrave për të miratuar propozimin e Presidencës Franceze për heqjen e vetos për negociatat për Republikën e Maqedonisë së Veriut. Për projektvendimin e paraqitur nga Hristo Ivanov, kryetar i PG “Bullgaria Demokratike” (DB), votuan 170 deputetë, 37 ishin “kundër” dhe 21 “abstenuan”.

Kuvendi i Bullgarisë ka ndryshuar kështu një rezolutë të miratuar një vit më parë ku impononte veton dhe tashmë çështja i ka kaluar Qeverisë bullgare. Parlamenti bullgar e hoqi veton me kushtin që sipas propozimit francez, Komisioni Evropian do të shërbejë si arbitër sepse tani procesi i anëtarësimit i RMV është i lidhur me zgjidhjen e mosmarrëveshjes me Bullgarinë.

Pasi Kuvendi i Bullgarisë dha sot dritën jeshile për propozimin francez, ministri i Punëve të Jashtme në Maqedoninë e Veriut, Bujar Osmani, tha se qëndrimet e tyre janë dërguar në Presidencën franceze dhe se në të ardhshmen duhet parë se çfarë zgjidhje do të vijë nga Franca. Osmani tha se qëndrimi i tyre është i qartë, se çështja e gjuhës dhe çështjet historike të mos jenë pjesë e kornizës së negociatave.

Kryeministri Rama dhe Presidenti Meta kanë reaguar menjëherë pas këtij vendimi. Rama e ka konsideruar lajm të madh heqjen e vetos në Parlamentin bullgar dhe i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të veprojë më shpejt.

Por dje Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Kovaçevski tha se ka refuzuar propozimin francez për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë.

“Falënderoj presidentin Macron për angazhimin, por që propozimi të jetë pranueshëm duhet të garantojë disa çështje thelbësore, për gjuhën dhe identitetin maqedonas”, ka deklaruar Kovaçevski në një konferencë të përbashkët me Ramën dhe presidentin Serb, Aleksandar Vuçiq.

Kryeministri Rama ka reaguar pas heqjes së vetos në parlamentin bullgar. Rama ka thënë se u shpëtua fytyra e Bullgarisë dhe BE-së.

“Sapo mora një telefonatë nga Boyko Borissov. Nuk mund ta falënderoja sa duhet për mendimin e tij të mirë që më thirri, por mund ta falënderoja për rolin e tij përcaktues në heqjen e VETO-s në parlament! Mik i vërtetë, lider i vërtetë. Partia e tij GERB dhe të tjerët shpëtuan fytyrën e Bullgarisë dhe BE-së! Tani BE duhet të veprojë shpejt”

Presidenti Ilir Meta ka reaguar pasi Kuvendi bullgari miratoi propozimin e presidentit francez Emmanuel Macron për heqjen e vetos për negociatat për Maqedoninë e Veriut.

“Më në fund erdhi lajmi i shumëpritur nga Bullgaria mike, që ka qenë gjithmonë një mbështetëse e vendosur e procesit tonë të anëtarësimit. Votimi nga Parlamenti bullgar për heqjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut, hapi rrugën për nisjen e negociatave të anëtarësimit për të dyja vendet tona. Në pritje të lajmit tjetër nga mbledhja e Këshillit Europian, që vijon ende”, shkruan Meta.

Artikulli paraprakLOJTARI VULAJ: JAP MË TË MIRËN TE VLLAZNIA
Artikulli tjetërSITUATA ME COVID-19 NË VEND, MSH: 293 QYTETARË TË INFEKTUAR NË 24 ORËT E FUNDIT, ASNJË HUMBJE JETE