Humbja me Serbinë në “Elbasan Arena” duhet të mbetet vetëm një kujtim i hidhur, pasi përfaqësuesen shqiptare e pret sfida më e rëndësishme në historinë e futbollit tonë deri më tani. Nuk ka më asnjë kalkulim, fitorja në Armeni përkthehet në kualifikimin për në Francë.

Trajneri Gianni de Biasi pritet që të bëjë disa ndryshime në krahasim me përballjen ndaj serbëve, ku i pari është një ndryshim i detyruar pasi Ansi Agolli nuk do të jetë pjesë e kësaj sfide për shkak pezullimi, në vendin e tij mund të aktivizohet Hysaj, pasi për fat të keq mbrojtësi tjetër i krahut të majtë Naser Aliji nuk është në gjëndje perfekte fizike për arsye dëmtimi, ndërsa Lila mund të sistemohet në të djathtë të repartit difensiv. Ndërkohë që pritet aktivizimi nga fillimi i Shkëlzen Gashit dhe Sokol Cikalleshit, i pari në të djathtë të mesfushës dhe i dyti në majën e sulmit. Pra formacioni titullar që mund të zbresë në fushë në Jerevan nën skemën taktike 4-4-1-1 do të jetë i formuar nga Etrit Berisha në kuadrat, Lila, Cana, Gjimshiti dhe Hysaj në mbrojtje, Gashi, Migjen Basha, Xhaka dhe Lenjani në repartin e mesit të fushës me Memushajn pas krahëve të Sokol Cikalleshit. Në këtë rreshtim paraprak dallohet që është i njëjti modul si ai i përdorur me Serbinë, por me aktorë të ndryshëm. Gjithsesi në përballje të tilla rëndësi më shumë se sa rreshtimi taktik ka grinta dhe etja për sukses e lojtarëve kuqezi, nëse këto dy elemntë janë në nivelet e duhura, atëhere harku i triumfit është më pranë se kurrë. Armenia në sfidën ndaj Shqipërisë nuk ka asnjë objektiv apo shans për t’u kualifikuar ndaj e parë në këtë këndvështrim mund të lehtësohet pak shkalla e vështirësisë për kuqezinjtë. E gjithë kombëtarja shqiptare është e motivuar për të rikthyer buzëqeshjen pas zhgënjimit apo humbjes me Serbinë në “Elbasan Arena”.