Janë bërë dy vjet që nga mbajtja e mbledhjes së parë ndërmjet dy qeverive shqiptare, asaj të Kosovës dhe Shqipërisë.

Me 11 janar 2014, mbledhja u vendos të mbahej në qytetin e Prizrenit, dhe nga atje të dy krerët e qeverisë Edi Rama dhe Hashim Thaçi, e cilësuan këtë mbledhje si “takim që shënon kapitull të ri dhe dërgon mesazhin evropian për të gjithë, mesazhin e rajonit me kufi të hapur dhe pa barriera të së kaluarës.” Ky takim po ashtu u cilësua nga dy kryeministrat si historik i cili ndodhte për herë të parë në historinë e dy shteteve.   Në këtë datë u nënshkrua “deklarata për bashkëpunim dhe partneritet strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”. Kjo marrëveshje përfshinte fushën e transportit dhe infrastrukturën dhe bashkëpunimin tregtar. E po ashtu u pajtuan që të themelohet edhe një fond i përbashkët për Luginën e Preshevës. Shqipëria dhe Kosova, po përgatiteshin që të mbajnë edhe mbledhjen e dytë në nivel të lartë. M e 23 mars të vitit 2015, u takuan sërish por tash Kosova përfaqësohej nga një kryeministër tjetër, Isa Mustafa. Kryefjala e mbledhjes së dytë të dy qeverive ishte thellimi i partneritetit strategjik i Shqipërisë me Kosovën, i cili në një vit kishte njohur progres të rëndësishëm edhe në fushën e politikës së jashtme.