
Shqipëria mbetet ndër vendet me shpenzimet më të ulëta për kërkim-zhvillim (R&D) në rajon, duke alokuar vetëm 0.20% të PBB-së për inovacion, nivel pothuajse identik me Bosnjën (0.19%), sipas të dhënave që janë bërë publike nga Eurostat, për vitin 2024, ose viti më i afërt kur janë informacionet.
Në kontrast, Serbia investon 0.93% të PBB-së dhe Maqedonia e Veriut 0.36%, duke treguar një angazhim më të lartë ndaj zhvillimit teknologjik dhe modernizimit ekonomik.
Niveli i ulët i financimit në Shqipëri kufizon rritjen e produktivitetit, inovacionin dhe transformimin e modelit ekonomik, duke e bërë më të vështirë për vendin të konkurrojë me ekonomitë e tjera në zhvillim.
Ndërkohë, panorama europiane paraqet një kontrast të fortë. Sipas Eurostat, mesatarja e Bashkimit Europian në këtë tregues është 2.24% e PBB-së, pjesa më e madhe e të cilit, rreth 67% vjen nga shpenzimet për kërkim dhe zhvillim të bizneseve (1.49% e PBB-së).
Në Shqipëri, bizneset investojnë vetëm 0.07% të PBB-së për kërkim e zhvillim. Investimet e bizneseve përbëjnë vetëm 35% të totalit të shpenzimeve për kërkim zhvillim në vend, shumë më poshtë se mesatarja europiane.
Vendet e Bashkimit Europian vazhdojnë të investojnë shumëfish më tepër në kërkim dhe inovacion, duke i konsideruar shpenzimet për R&D një shtyllë themelore të rritjes afatgjatë.
Në BE, shumë shtete anëtare shpenzojnë mbi 2% të PBB-së për kërkim-zhvillim, duke krijuar një diferencë të dukshme midis ekonomive të zhvilluara dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Vendet nordike, si Suedia, Danimarka dhe Finlanda, mbeten në krye të renditjeve, duke kombinuar investimet publike dhe private me traditën e forte universitare dhe industriale.
Ekonomitë e mëdha, si Gjermania, kontribuojnë në vlerë absolute me buxhete të konsiderueshme për teknologji, inovacion dhe shkencë, ndërsa vendet e Europës Lindore kanë rritur gradualisht investimet për të afruar standardet e BE-së dhe për të modernizuar sektorët e tyre prodhues.
Sipas Eurostat, në vitin 2024, 6 vende të BE-së regjistruan një intensitet të shpenzimeve për R&D të barabartë ose më të lartë se 3%, objektivi i BE-së i vendosur nga Këshilli Europian. Intensiteti më i lartë i R&D-së u regjistrua në Suedi (3.6%), Belgjikë (3.4%), Austri (3.3%) dhe Finlandë (3.2%), të ndjekura nga Gjermania (3.1%) dhe Danimarka (3.0%).
Në të kundërt, 7 vende të BE-së raportuan një intensitet të shpenzimeve për R&D më të ulët ose të barabartë me 1%: Rumania dhe Malta (nga 0.5% secila), Qipro (0.7%), Bullgaria (0.8%), Letonia (0.9%), si dhe Sllovakia dhe Luksemburgu (1.0%).






