
Shqipëria renditet e katërta në botë për nivelin e vdekjeve reale nga Covid-19 në raport me popullsinë, pas Azerbajxhanit, Bosnjë-Hercegovinës dhe Bullgarisë.
Të dhënat janë publikuar nga “Health Data”, një institut amerikan për vlerësimin e shëndetit. Sipas raportit, Shqipëria kishte në total 529 vdekje për 100 mijë banorë, për periudhën mars 2020 deri në maj 2021, duke u renditur e katërta ndër 20 vendet me vdekjet reale më të larta nga Covid-19.
Sipas raportit, Shqipëria i ka vdekjet totale nga Covid-19 rreth 6 herë më shumë sesa deklarimet zyrtare, duke u renditur sërish ndër vendet që kanë normën më të ulët të deklarimeve zyrtare në raport me vdekjet totale, pas Bjellorusinë, dhe Azerbajxhanit. Në Maqedoninë e Veriut, raporti është 2, ndërsa në Mal të Zi është 1.4.
“Health Data” vlerëson se në mbarë globin, Covid-19 ka shkaktuar 6.9 milionë vdekje ose 2 herë më shumë sesa është deklaruar zyrtarisht deri tani. Vlerësimi bazohet në matjen e vdekjeve shtesë gjatë javëve pandemike krahasuar me atë që do të pritej bazuar në trendet dhe sezonalitetin e viteve të kaluara. Sidoqoftë, thotë raporti, niveli i vdekjeve shtesë nuk është i barabartë me totalin e vdekjeve COVID-19.
Edhe më herët, të dhënat kombëtare dhe ato të Eurostat për shtetet e Europës treguan se Shqipëria kishte rritjen më të lartë të vdekjeve në periudhën pandemike dhe ndër të parat në Europë për shtesën e fataliteve në raport me popullsinë, përveç atyre shteteve që edhe në vite normale kishin një normë të lartë vdekshmërie, si psh Bullgaria.
Ndërsa nga të dhënat e krahasuara me Europën, rezulton se Shqipëria, e cila zgjodhi të zbatojë kufizime të rrepta vetëm në mars-maj 2020 ka përjetuar valën më fatale të pandemisë, me një rritje të numrit të vdekjeve me 38% për mars-dhjetor 2020, krahasuar me mesataren e të njëjtës periudhë 2016-2019, pasi janari dhe shkurti kishin shënuar tendencë rënëse.
Shqipëria ka një diferencë rreth 30% më të lartë për shtesën e vdekshmërisë në periudhën e pandemisë me të gjithë shtetet e tjera të Europës.
E njëjta tendencë vijoi dhe në muajt e parë të vitit 2021, ku Shqipëria pa një rritje shumë më të lartë të fataliteve, në raport me shtetet e tjera të Europës.






