Shqipëria u rendit e katërta në Europë për Rritjen e Përgjithshme të Çmimeve në muajin tetor sipas metodologjisë së Eurostat. Ndryshimi vjetor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit në muajin tetor 2020 është 2,9%.

Rritja më e madhe e çmimeve prej 6,6% vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Transporti” me 3,4%, “Pije alkoolike dhe duhan” me 1,5%, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 1,1%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,5%, “Komunikimi” me 0,4%, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,3% dhe “Argëtim dhe kulturë” me 0,1%.

Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” u ulën me 0,7%, pasuar nga grupet “Shëndeti” dhe “Shërbimi arsimor” me 0,1% secili. Në muajin tetor 2020, ndryshimi mujor i matur nga Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit është 0,3%.

Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 0,8%, pasuar nga grupet “Veshje dhe këpucë” me 0,3%, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 0,2%, etj. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” u ulën me 0,3%, pasuar nga grupet “Transporti” me 0,2%, “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Shëndeti” me 0,1% secili.

Në vitin 2017, për të ndihmuar hartimin e politikave dhe për të realizuar një krahasim sa më të mirë me vendet e tjera të inflacionit, në bashkërendim me Eurostat, INSTAT ndërmori hapa në drejtim të krijimit të një baze të përbashkët metodologjike të shteteve anëtare për ndërtimin dhe përdorimin e IHÇK-së, sipas Rregullores së Këshillit Europian (KE), nr. 2494/95, të datës 23 tetor 1995.

Inflacioni i Eurozonës matet mbi bazën e treguesit të IHÇK-së. Termi “i harmonizuar” nënvizon faktin që të gjitha vendet e BE-së zbatojnë të njëjtën metodologji në matjen e treguesit përkatës.

Ndryshimet e kontributit nga një tregues në tjetrin lidhen me faktin se kompozimi i peshave të mallrave brenda grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” është i ndryshëm nga një tregues në tjetrin.

Kështu, brenda këtij grupi, nëngrupi “Fruta – Perime”, ka një peshë më të madhe te shporta e IHÇK-së (12.84% e shportës totale) sesa tek ajo e IÇK-së (8.44% e totalit).

Për shkak të këtij ndryshimi, kontributi i këtij grupi mallrash te totali është i barabartë me 2.5 pikë përqindje në rastin e treguesit IHÇK dhe me 1.2 pikë përqindje në rastin e IÇK-së. Ndryshime të vogla në kontribute vihen re edhe në disa grupe të tjera, por jo në madhësinë e ndryshimit të rastit të mësipërm.

Në përfundim, nëngrupi “Fruta-Perime”, ka krijuar 1.3 pikë përqindje ose më shumë se 80% të diferencës së inflacionit të matur sipas dy treguesve (3.84% kundrejt 2.38%).

Zërat e shportave përkatëse në rastin e Shqipërisë. IÇK-ja përmban 332 zëra; IHÇK-ja përmban 331 zëra (qiraja e imputuar nuk është element i shportës).

IÇK-ja mbulon vetëm shpenzimet familjare private shqiptare të kryera, brenda territorit të vendit. Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) është Anketa e Buxhetit të Familjeve (ABF); IHÇK-ja mbulon të gjitha shpenzimet e kryera brenda territorit të vendit nga familjet shqiptare, si dhe shpenzimet e vizitorëve rezidentë dhe jorezidentë.

Burimi kryesor i të dhënave për shpenzimet (“peshat”) janë Llogaritë Kombëtare “Shpenzimet Monetare të Konsumit Final të Familjeve (HFMCE)”.

Artikulli paraprakMËNGJES ME DIELL POR DITA VIJON ME KTHJELLIME, SI DO JETË MOTI SOT
Artikulli tjetërNEGOCIATAT, PSE BULLGARIA E HOLANDA BLLOKUAN?