
Që pas viteve të pandemisë, Shqipëria ka përjetuar një rritje të ndjeshme të numrit të fluturimeve, e ndikuar nga faktorë të ndryshëm, përfshirë rritjen e interesit turistik dhe hyrjen e linjave të reja ajrore që operojnë në nivel europian.
Sipas Eurostat, numri i fluturimeve komerciale që nga e njëjta periudhë para pandemisë e deri në maj të këtij viti është rritur me rreth 160%.
Shqipëria renditet e para për nga rritja e fluturimeve komerciale ndËrsa vendet e rajonit : Bosnje dhe Hercegovina mban vendin e dytë me një rritje prej 66.1%, duke u paraqitur gjithashtu me një performancë shumë të mirë. Serbia renditet e treta ndërsa më pas vijnë Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi, me rritje përkatësisht prej 25.3% dhe 14.4%.
Megjithatë, situata nuk është pozitive për të gjitha vendet e kontinentit. Disa shtete europiane kanë shënuar rënie të konsiderueshme në numrin e fluturimeve komerciale. Gjermania ka regjistruar një ulje prej 12.1%, ndërsa Finlanda, Sllovenia dhe Suedia raportojnë përqindje edhe më të mëdha të rënies.
Në tërësi, të dhënat tregojnë se Shqipëria jo vetëm ka tejkaluar nivelet e fluturimeve të para pandemisë, por ka kapërcyer shumë vende të zhvilluara të Europës, duke u pozicionuar si një nga destinacionet më me përparësi për turizmin ndërkombëtar.