Shqipëria e rrezikuar nga gripi i shpendëve, masat që duhen”

TIRANE – Shqipëria është e rrezikuar nga gripi i shpendëve, tashmë i pranishëm në disa vende të Evropës. Aldin Lika, ekspert i sëmundjeve të kafshëve në Ministrinë e Bujqësisë thotë se virusi mund të bartet në Shqipëri, përmes shtegtimit të shpendëve drejt lagunave. Ndërkohë që ky dikaster ka urdhëruar bllokimin e importit të shpendëve nga vendet e prekura. “Rruga më e mundshme e hyrjes në Shqipëri është përmes shpendëve migratorë, ose përmes shpendëve të ndryshëm. Shqipëria është e ekspozuar ndaj këtij rreziku dhe eksperienca e para 10 vjetëve na e konfirmon këtë. Ne kemi dhe një sasi goxha të madhe shpendësh shtëpiakë.”- deklaroi eksperti. Lika thotë se është e rëndësishme që të gjithë fermerët të shtojnë masat higjienike në ambientet ku mbajnë shpendët dhe sidomos të lajmërojnë Shërbimin Veterinar në rast konstatimi të shpendëve të ngordhur. “Ne kemi filluar të marrim masat ndërkohë kemi filluar të shikojmë si i kanë krematoriumet, fermat e shpendëve. Kemi filluar të dërgojmë informacione të ndryshme tek drejtoritë e bujqësive ose tek fermat në mënyrë që ato të rrisin biosigurinë nëpër ferma. Është e parakohshme të ndalohet konsumi i shpendëve sepse për momentin nuk ka asnjë lloj rreziku.”- deklaroi Aldin Lika. Në Tetor 2016, autoritetet në Austri, Kroaci, Danimarkë, Gjermani, Hungari, Poloni, Rusi, Zvicër dhe Holandë kanë raportuar ngordhje në zogjtë e egër, për shkak te virusit H5N8 të influencës aviare. Kjo sëmundje mund të shfaqet në forma mjaft të rënda te njerëzit, deri edhe në rrezik serioz për jetën.