Ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së do të vendosin sot nëse do ta fusin Shqipërinë ose jo te vendet e sigurta sa i përket infeksionit COVID, që do të sjellë dhe udhëtim të lirë drejt Bashkimit Evropian.

Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut sipas Radio Evropa e Lirë janë tre vende të Ballkanit Perëndimor që kanë potencialin të shpallen të sigurta për udhëtim të lirë drejt Bashkimit Evropian.

Portugalia, e cila mban presidencën aktuale të BE-së, është duke përpiluar një listë të vendeve, të dhënat e të cilave tregojnë se janë të sigurta sa i përket infeksionit me koronavirus. Ditën e sotme për këtë listë do të diskutojnë ambasadorët e vendeve anëtare të BE-së dhe do të vendosin në përputhje me situatën e tyre epidemiologjike.

Për të siguruar statusin e një vendi të sigurt, ai duhet të regjistrojë maksimum 75 raste pozitive me koronavirus për 100,000 banorë, në 14 ditët e fundit. Përveç tre vendeve të Ballkanit Perëndimor, në listë thuhet se janë edhe Shtetet e Bashkuara, Hong Kongu, Makao, Arabia Saudite dhe Tajvani.

Kujtojmë se Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve në SHBA e ka futur Shqipërinë te vendet me nivel të ulët rreziku të infektimit nga COVID. Shqipëria ka arritur marrëveshje me një vend anëtar të BE, Hungarinë, për njohjen e ndërsjelltë të certifikatave të vaksinimit kundër COVID. Me finalizimin e marrëveshjes, njihen të gjitha llojet e vaksinave për hapjen e kufijve për lëvizjen e lirë mes dy vendeve, duke përfshirë edhe arsyet e turizmit.

Që prej fillimit të fushatës së imunizimit në vendin tonë në total janë vaksinuar kundër COVID 848 430 qytetarë. Vlora është qarku i parë në vend që nuk ka asnjë rast aktiv me COVID, kurse në të gjithë vendin aktualisht janë 136 raste aktive. Në 24 orët e fundit ministria e Shëndetësisë raportoi se është shënuar 1 humbje jete dhe 8 raste të reja nga 3375 testime të kryera.

Artikulli paraprakPANDEMIA GODET FORT SHKODRËN, ME MBYLLJEN MË TË MADHE TË BIZNESEVE MË 2020
Artikulli tjetërKTHJELLIME DHE RRITJE TEMPERATURASH, NJIHUNI ME PARASHIKIMIN E MOTIT PËR SOT