Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kërkuar krijimin e një grupi të posaçëm pune për luftën kundër karteleve të drogës dhe lidhjeve të tyre me pushtetin. Kërkesa u bë gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të IDC-CDI-së, organizata ndërkombëtare e partive të qendrës së djathtë, që u zhvillua në Bruksel.

Berisha paraqiti para përfaqësuesve të organizatës shqetësimet e tij për situatën politike dhe kriminalitetin në Shqipëri, duke akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për lidhje me krimin e organizuar.

Sipas kreut të PD-së, Shqipëria përballet me një rrezik të madh nga kartelet e drogës, të cilat sipas tij kanë shtrirë ndikimin në fusha të ndryshme të ekonomisë dhe territorit.

“Duhet të krijojmë një grup të posaçëm pune për kartelet e drogës, narko-shtetet dhe trafikun. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për vendet që përballen me këtë problem, por edhe për sigurinë e rajonit”, u shpreh Berisha gjatë fjalës së tij.

Ai ngriti akuza edhe për procesin zgjedhor në Shqipëri, duke pretenduar se vendi nuk zhvillon zgjedhje të lira, por procese që sipas tij nuk garantojnë konkurrencë të barabartë politike.

“Në vendin tim nuk ka zgjedhje, ka vetëm farsë. Ata vendosin për gjithçka”, tha Berisha para përfaqësuesve të CDI-së.

Asambleja e Përgjithshme e IDC-CDI-së u zhvillua më 13 korrik 2026 në Bruksel, ku Berisha mban postin e zv/presidentit të kësaj organizate.

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakRAMA PËR EURONEWS SERBIA: PROTESTA SINJAL SE JETESA ËSHTË BËRË MË E MIRË! BASHKËPUNIMI ME VUÇIÇ I VËSHTIRË, JA PSE ‘BALLKANI I HAPUR’ ISHTE ‘IDE E TMERRSHME’
Artikulli tjetërLEZHA DHE ROSKOVECI NDAJNË MODELET E SUKSESIT