Në Shqipëri, numri i nxënësve në arsimin fillor vijoi të bjerë edhe në vitin 2024. Nga 146 962 nxënës të regjistruar në vitin 2023, numri zbriti në 141 089, ose 5 873 nxënës më pak brenda një viti. Kjo përfaqëson një rënie prej rreth 4%, dukshëm më të fortë se ajo e regjistruar në Bashkimin Europian, sipas të dhënave të Eurostat.

Në vitin 2024, në arsimin fillor në BE ishin të regjistruar 23.2 milionë nxënës, vetëm 0.2% më pak se një vit më parë, ose një rënie prej 35 153 nxënësish. Në Shqipëri, rënia ka prekur kryesisht arsimin publik. Numri i nxënësve në institucionet publike ra nga 130 067 në vitin 2023 në 123 491 në vitin 2024, ose me 6 576 nxënës, një tkurrje prej rreth 5.1%. Në të kundërt, arsimi privat ndoqi prirjen e kundërt. Numri i nxënësve në institucionet private u rrit nga 16 895 në 17 598, ose me 703 nxënës, që përfaqëson një rritje prej rreth 4.2%.

Në një këndvështrim më afatgjatë, situata në Bashkimin Europian paraqitet ndryshe. Krahasuar me vitin 2014, numri i nxënësve në arsimin fillor u rrit me 2.9%, ose me 659 086 nxënës. Franca regjistroi numrin më të madh të nxënësve në arsimin fillor në vitin 2024, me 4.1 milionë, e ndjekur nga Gjermania me 3.3 milionë, Spanja me 2.8 milionë dhe Italia me 2.6 milionë. Në të kundërt, shifrat më të ulëta u regjistruan në Maltë, me 27 537 nxënës, Luksemburg, me 43 020, dhe Qipro, me 60 596./ Eurostat

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakREZULTATET E ‘PISA’ 2025, RAMA: KEMI MARRRË NJË DËFTESË TË JASHTËZAKONSHME! SHQIPËRIA NË KRYE TË RAJONIT NË ARSIMIN PARAUNIVERSITAR
Artikulli tjetër“VRASËSI I HESHTUR” I BALLKANIT PERËNDIMOR, RAJONI PO HUMBET POPULLSINË DHE KAPITALIN NJERËZOR