
Kryeministri Edi Rama mori pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes mes “TEDA Tiranë” dhe kompanisë izraelite “H.A.P.I Advanced Technologies LTD”, një investim i rëndësishëm në teknologji dhe inovacion.
Gjatë fjalës së tij, Rama theksoi rëndësinë e shfrytëzimit të momentit historik për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Ky është një moment historik për Shqipërinë, sepse është hapur një dritare e një mundësie që nuk vjen dy herë për t’u bërë pjesë e BE duke shfrytëzuar një hapësirë kohore tejet të shkurtër. Shpejtësia e procesit me të cilin ne po përparojmë në këtë kornizë është më e larta ndonjëherë krahasuar me të gjitha vendet, jo sepse ne po e bëjmë shumë mirë detyrën që nuk diskutohet, por BE është e interesuar për shpejtësi.
Është momenti historik i përputhjes së rrethanave tona të brendshme me ato të BE. Janë dhe ata po kaq të dëshiruar që Shqipëria të bëhet pjesë e BE. Ne kemi detyrimin të mos e humbasim këtë mundësi. Të mos humbasim asnjë ditë sepse nëse nuk e realizojmë këtë kapërcim epokal në këtë lloj hapësirë, dritarja mund të mbyllet dhe mund të nisë historia nga e para.
Ky është momenti kur pritshmëria shekullore e jona, për t’i përkitur asaj pjese të botës ku dielli lind atje ku perëndon, mund të bëhet realitet. Por duhet të fokusohemi dhe të mos humbasim asnjë ditë, jo më muaj e vite të tjera. Të gjitha këto procese, janë pjesë e kësaj përpjekjeje”, u shpreh ai.