
Shqipëria vijoi edhe në vitin 2025 të kishte peshën më të lartë të ndërtimit në ekonomi në Europë, duke u shkëputur ndjeshëm si nga vendet e rajonit, ashtu edhe nga Bashkimi Europian.
Sipas të dhënave të Eurostat, ndërtimi përbënte 12.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) të Shqipërisë në vitin 2025, kundrejt një mesatareje prej vetëm 5% në Bashkimin Europian. Në raport me madhësinë e ekonomisë, pesha e ndërtimit në Shqipëri është kështu rreth 2.5 herë më e lartë se mesatarja e BE-së. Asnjë vend tjetër i përfshirë në të dhënat e Eurostat nuk i afrohet nivelit të Shqipërisë. Pas saj renditet Rumania me 8.6%, ndërsa Kosova, e treta në renditjen europiane, e kishte ndërtimin sa 7.8% të PBB-së.
Edhe në Ballkanin Perëndimor, ku ndërtimi ka një rol të rëndësishëm në disa ekonomi, diferenca e Shqipërisë është e madhe. Kosova renditet më pranë, me një peshë prej 7.8% të PBB-së, gati 5 pikë përqindjeje më pak se Shqipëria. Në Maqedoninë e Veriut ndërtimi përbënte 6.6% të ekonomisë në vitin 2025. Në pjesën tjetër të rajonit, kontributi është shumë më i ulët. Në Bosnjë-Hercegovinë ndërtimi zinte 4.8% të PBB-së, në Serbi 4.6%, ndërsa Mali i Zi kishte peshën më të vogël në Ballkanin Perëndimor, me vetëm 3.8%.
Kështu, pesha e ndërtimit në Shqipëri është rreth 1.6 herë më e lartë se në Kosovë, pothuajse dy herë më e lartë se në Maqedoninë e Veriut, rreth 2.7 herë ajo e Serbisë dhe më shumë se tre herë niveli i Malit të Zi. Edhe Kroacia, që ka përjetuar një cikël të fortë investimesh në ndërtime dhe turizëm, ishte në 6.6%, pothuajse sa gjysma e nivelit të Shqipërisë.
Në kontrast dy sektorë shumë të rëndësishëm për punësimin, “bujqësia” dhe “prodhimi e industria” kanë dhënë kontribut negativ në ekonomi, teksa janë në rënie prej dy vitesh.
Sipas të dhënave të INSTAT, bujqësia u tkurr me 2% në 2025-n, për të pestin vit radhazi, ndërsa industria u tkurr në total me 1.6%, për të dytin vit radhazi, teksa një pjesë e rëndësishme e saj, manifaktura është në rënie për tre vite radhazi.
INSTAT raporton se nga 1.04 milionë të punësuar në vend, 33.8% e tyre janë në bujqësi, ose 352 mijë persona (këta raportohen kryesisht si të vetëpunësuar). Industria në total ka 124 mijë të punësuar, ose 12% të totalit. Të dy këto sektorë punësojnë gjithsej 475 mijë të punësuar, ose 45% të totalit./ Monitor






