
Shqipëria ka shpëtuar në minutat e fundit ndaj San Marinos, duke triumfuar 2-1 në Tiranë falë një penalltie të shndërruar në gol nga Kristjan Asllani në minutën e 93-të.
Kuqezinjtë kaluan të parët në avantazh që në minutën e 11-të të takimit, kur Asllani provon me një predhë nga distanca dhe topi përfundon në rrjetë. Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0. Në minutën e 66-të Lazzari godet me të djathtën pasi e gjen veten të lirë pas një krosimi në zonë dhe ndëshkon Dajsinanin, duke barazuar rezultatin.
Në minutat e mbetura, Shqipëria u hodh në sulm në kërkim të golit të fitores, por kuqezinjtë hasën vështirësi përballë mbrojtjes së San Marinos.
Kur gjithçka po shkonte drejt një barazimi, ndërhyri VAR-i. Pas rishikimit të një episodi në zonë, Shqipërisë iu akordua një penallti në minutat shtesë.
Kristjan Asllani mori përsipër ekzekutimin dhe në minutën e 93-të dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë Shqipërisë fitoren 2-1.
Një triumf i vuajtur dhe shumë larg pritshmërive për kuqezinjtë, të cilët rrezikuan seriozisht të linin pikë përballë San Marinos në Tiranë, ndërsa kuqezinjtë festojnë vendin e parë në Grupin C1.


