Përdorimi i inteligjencës artificiale po rritet me shpejtësi në të gjithë botën, por ritmi i përhapjes mbetet shumë i pabarabartë mes vendeve. Në Ballkanin Perëndimor, Serbia kryeson për përdorimin e ChatGPT, ndërsa Shqipëria renditet pranë fundit të rajonit, sipas të dhënave të publikuara nga Banka Botërore.

Në maj 2025, Serbia regjistroi 231 vizita në ChatGPT për çdo 100 përdorues interneti, niveli më i lartë ndër vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshira në krahasim. Pas saj renditej Maqedonia e Veriut, me 166 vizita për 100 përdorues interneti, ndërsa, Mali i Zi, kishte 146 vizita.

Shqipëria regjistroi 142 vizita për 100 përdorues interneti, duke lënë pas vetëm Bosnjë-Hercegovinën, me 134 vizita. Krahasuar me disa ekonomi të zhvilluara, përdorimi i ChatGPT në rajon mbetet më i ulët. Gjermania regjistronte 274 vizita për 100 përdorues interneti, Franca 262, Spanja 254 dhe Suedia 351. Në Australi treguesi arrinte në 447 vizita, ndërsa në SHBA në 245.

Dallimet në përdorimin e iA-së kanë rëndësi edhe për ekonominë. Banka Botërore e konsideron inteligjencën artificiale një teknologji transformuese, me potencial për të rritur produktivitetin, për të përshpejtuar rritjen ekonomike dhe për të ndryshuar mënyrën se si organizohet puna dhe ofrohen shërbimet.

Përdorimi i iA-së mund të ulë kohën dhe koston e kryerjes së një sërë procesesh, të ndihmojë bizneset në automatizimin e detyrave dhe analizën e të dhënave dhe të rrisë produktivitetin e punonjësve. Ndikimi pritet të shtrihet në sektorë të ndryshëm, nga arsimi dhe shërbimet te bujqësia dhe aktivitetet profesionale./Monitor

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakTË PAKTËN SHTATË TË VDEKUR DHE GJASHTË TË ZHDUKUR NGA TAJFUNI DUJUAN QË GODITI JAPONINË, 58 MIJË FAMILJE PA ENERGJI ELEKTRIKE
Artikulli tjetërKOSTOJA E SHËNDETIT, 8% E SHQIPTARËVE NUK PËRBALLOJNË EKZAMINIMET, E DYTA MË E LARTË NË EUROPË