Shqipëria është vendi ku ndërtimi zë peshën më të lartë në ekonomi në Europë, por bumi i apartamenteve nuk ka zgjidhur problemin e kushteve të banimit. Në vitin 2023, 12.7% e popullsisë jetonte në privim të rëndë nga strehimi, norma e tretë më e lartë mes vendeve europiane të përfshira në të dhënat e Eurostat, pas Turqisë me 19.7% dhe Malit të Zi me 14.6%. Mesatarja e Bashkimit Europian ishte vetëm 4%.

Kontrasti me ritmin e ndërtimeve është i fortë. Në vitin 2025, sektori i ndërtimit përbënte 12.6% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë, kundrejt 5% në Bashkimin Europian. Pesha e tij në ekonominë shqiptare ishte rreth 2.5 herë më e lartë se mesatarja e BE-së dhe më e madhe se në çdo vend tjetër europian të përfshirë në të dhënat e Eurostat.

Sipas renditjes së Numbeo për tregun e pronave, kryeqyteti shqiptar është i katërti më pak i përballueshëm mes kryeqyteteve europiane për blerjen e një banese, pas Moskës, Lisbonës dhe Pragës. Raporti mes çmimit të pronës dhe të ardhurave në Tiranë është rreth 16.9, çka e vendos qytetin përpara kryeqyteteve si Beogradi dhe Parisi në këtë tregues.

Eurostat e klasifikon një person në privim të rëndë nga strehimi kur ai jeton në një banesë të mbipopulluar dhe, në të njëjtën kohë, përballet me të paktën një problem serioz të saj. Problemet përfshijnë një çati që rrjedh, mungesën e banjës ose dushit dhe të tualetit brenda shtëpisë, apo një banesë me ndriçim natyror të pamjaftueshëm. Të dhënat burojnë nga anketa europiane EU-SILC mbi të ardhurat dhe kushtet e jetesës.

Treguesi, mat sa njerëz jetojnë në banesa me hapësirë dhe kushte të papërshtatshme. Ky dallim është i rëndësishëm në rastin e Shqipërisë, ku ndërtimet e reja janë shtuar me ritme të shpejta, ndërsa një pjesë e stokut ekzistues vazhdon të ketë probleme dhe blerja e një prone të re mbetet e vështirë për familjet me të ardhura mesatare ose të ulëta./MONITOR

SHKARKO TANI
Artikulli paraprakCHAT GPT DO TË LEJOHET TË PËRDORET NË SHKOLLË, MINISTRIA E ARSIMIT PUBLIKON UDHËZUESIN QË PËRCAKTON PËRDORIMIN NGA MËSUESIT DHE NXËNËSIT
Artikulli tjetërMORI DETYRËN SI AMBASADORE E RE E BASHKIMIT EUROPIAN, RAMA PRET NË ZYRË SOFIA MOREIRA DE SOUSA