
Në ditën e katërt nga moti i keq, janë 1587 banesa dhe 13211 hektarë tokë të përmbytura. Bilanci u shpall në mbledhjen e këshillit të Emergjencave Civile të cilin e drejtori kryeministri Rama. Për situatën e krijuar janë vënë në dispozicion 50 milionë euro, dhe sipas kreut të ekzekutivit, do dëmshpërblehen banorët e prekur. Ndërkohë sot është shfaqur që përmirësim i situatës në disa zona, ku ka nisur tërheqja e ujit.
Në Durrës vijon të mbetet problematike, edhe pse në disa zona ka shenja të përmirësimit. Në Durrësin e Ri (ish-Kënetë), strukturat e emergjencave dhe grupet e shërbimit ndodhen në terren, ku po punohet për normalizimin e plotë të situatës. Paralelisht, vijojnë verifikimet dhe vlerësimet në banesat e përmbytura, ku deri më tani janë konstatuar 2 380 banesa të prekura nga uji. Në qytetin e Durrësit, situata është ende e ndjeshme. Aktualisht janë 356 persona të evakuuar, prej të cilëve 123 janë akomoduar në hotele, ndërsa 304 të tjerë janë strehuar në dy konvaleshencat e ministrive të Brendshme dhe të Mbrojtjes.
Prurjet e lumit Vjosa kanë shënuar rënie gjatë natës. Aktualisht, prurjet e ujit janë ulur dhe niveli i ujit te Ura e Mifolit është 8.4 metra, duke bërë që uji të tërhiqet gradualisht nga zonat e përmbytura. Megjithatë, situata mbetet problematike në zonën e Bishanit, ku nënkalimi vijon të jetë i mbuluar nga rreth 2 metra ujë, duke e bërë të pamundur qarkullimin e automjeteve.
Situata hidrometeorologjike në qarkun e Fierit paraqitet më e qëndrueshme, ndërsa autoritetet raportojnë për ulje të niveleve të lumenjve dhe funksionim normal të infrastrukturës kryesore.
Situata në qarkun e Korçës vijon të jetë problematike në disa zona, si pasojë e reshjeve të shiut, borës dhe temperaturave të ulëta.
Reshjet intensive të shiut dhe dëborës, të shoqëruara me temperatura të ulëta, kanë krijuar problematika të shumta në disa qarqe të vendit, duke ndikuar në qarkullimin rrugor, furnizimin me energji elektrike dhe sigurinë e banorëve, kryesisht në zonat malore dhe pranë lumenjve.
Kryeministri Edi Rama mblodhi Komitetin e Emergjencave Civile për të adresuar situatën e krijuar nga përmbytjet e ditëve të fundit, si pasojë e reshjeve intensive të shiut. Kreu i ekzekutivit tha se kjo situatë nuk ka prekur vetëm Shqipërinë, por edhe rajonin e më gjerë. ‘Shiu nuk ndalet me shpifje’- tha Rama duke iu përgjigjur akuzave të opozitës, ‘por duke qëndruar pranë qytetarëve’ .






