Kushtet atmosferike nuk duken aspak optimiste dhe situata në vend pritet të përkeqësohet.

Sipas Komitetit të Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave, gjatë ditës së sotme (1 dhjetor 2017)pritet rëndim i gjendjes, veçanërisht në pjesën jugore të vendit. Po merren masa për menaxhimin e situatës në basenet e lumenjve Vjosë, Shkumbin dhe Seman ku priten edhe prurje të shtuara. Në disa segmente të këtyre lumenjve po merren masa për të organizuar evakuim të banorëve të rrezikuar, duke filluar nga zonat që preken nga lumi Vjosë. Autoritetet shtetërore po vijojnë zhvillimin e operacionit për përballimin e gjendjes.

Kapacitete të reja njerëzore dhe teknike do të zhvendosen në drejtim të Fierit dhe të Vlorës për të përforcuar dhe mbështetur autoritetet vendore. Shtabet e emergjencave civile do të mblidhen përsëri në të gjitha qarqet e vendit për të rivlerësuar gjendjen dhe për të marrë masat e nevojshme. Komiteti i Koordinimit të Emergjencave Civile dhe Krizave u bën thirrje qytetarëve të shmangin sa më shumë ekspozimin me rreziqet e shtuara nga situata dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për përballimin e saj.

Ndërkohë përgjatë gjithë natës ka vazhduar, si situata e pazakontë e reshjeve të shiut, ashtu dhe angazhimi i jashtëzakonshëm i strukturave shtetërore për përballimin e saj. Shtabet e emergjencës dhe strukturat operacionale kanë mundur të zgjidhin situatat e vështira të krijuara në disa pika si zhbllokimi i segmentit rrugor Kashar-Qendra Tregtare “City Park” në Tiranë dhe evakuimi i qytetarëve në këtë Qendër, shpëtimi i disa qytetarëve të rrezikuar në Derven të Krujës, stabilizimi i gjendjes në rezervuarin e Marikaj si dhe evakuimi i në Fushë Krujë.

Artikulli paraprakQEVERIA KA NJË APEL PËR QYTETARËT: KUJDES…
Artikulli tjetërMOTI I KEQ, PEZULLOHEN FLUTURIMET NË RINAS